Ballina
Enigma e vitit 2012 PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Administrator   
Mittwoch, 28 Dezember 2011
Po hyjmë në vitin 2012, i cili do të kar akerizohet nga një ndërthurje e pashmangshme me vitin 1912, pë r të shënuar ashtu njëqind vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, njërës nga ngjarjet më kulmore të kombit tonë.
 
 
 
 
 
 
 
Dr. Milazim Krasniqi

KU ËSHTË FSHEHUR SHQIPËRIA E KOSOVËS

Po hyjmë në vitin 2012, i cili do të karakterizohet nga një ndërthurje e pashmangshme me vitin 1912, për të shënuar ashtu njëqind vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, njërës nga ngjarjet më kulmore të kombit tonë.
Pra, viti 2012 do të jetë njëfarësoj peng i preokupimit tonë me të kaluarën, e cila për këto njëqind vjet ka ardhur duke u shtresuar, por nuk është sistemuar, sikundër që ka ardhur duke u harruar, por pa u vlerësuar. Barra e vitit që po vjen, rrjedhimisht do të jetë e rëndë për ta mbajtur një vit i vetëm.

 
Viti që po vjen, do të sjellë shumë dilema që do të kërkojnë zgjidhjet që nuk u janë dhënë gjatë një shekulli. E në këtë mes edhe një dilemë të pazhdukshme, sado të injoruar për një shekull të tërë: cili ka qenë kontributi i Kosovës në krijimin e Shqipërisë së pavarur?   

Respekti i munguar

Viti 2012 paraqet një rast të mirë që të hulumtohet e të vlerësohet ai kontribut, i cili deri më sot edhe nëse është përmendur, nuk është analizuar, edhe nëse është kujtuar, nuk është vlerësuar. Kontributi i Kosovës për pavarësinë e Shqipërisë  nuk ka si kuptohet nga histori e historira që i ngjajnë filmit “Nëntori i dytë”, ku Isa Boletini mbërin me vonesë në Vlorë. Kontributi i Kosovës është i matshëm e duhet të vlerësohet në bazë të investimit politik, ushtarak, ekonomik e demografik për pavarësinë e Shqipërisë dhe më tutje të rolit  mbrojtës që ka pasur për Shqipërinë, duke e sakrifikuar veten.

Së paku llogaria demografike, ajo që në fakt është më e vlefshmja në këtë tregim, është shumë e thjeshtë: me mijëra shqiptarë të Kosovës janë vrarë gjatë agresionit serb të vitit 1912, duke ngadalësuar marshimin barbar që synonte pushtimin e shpejt e të plotë të të gjithë Shqipërisëdhe pamundësimin e çfarëdo proklamimi të pavarësisë së saj. Mjafton të sillen me këtë rast vetëm dy dëshmi, e para e gazetarit Pickthall, të Nju Jork Tajmsit , i cili si dëshmitar okular, ka shkruar këto fjalë: “Masakrat që bënë serbët në Kosovë, nën Kryqin e Krishterë, kapërcejnë çdo instinkt gjakpirësije” dhe e dyta, e konsullit austrohungarez në Shkup, i cili pati raportuar se me të hyrë në Prishtinë, më 22 tetor 1912, forcat ushtarake serbe kishin ekzekutuar pesë mijë shqiptarë.
Dëshmitë e tjera për masakrat në Prizren janë edhe më tronditëse, sepse tregojnë se gjaku i të vrarëve ka rrjedhë si uji nëpër rrugicat e qytetit. Megjithëkëtë sakrificë sublime, deri sot Shqipëria nuk ka bërë asnjë gjest nderimi për ato mijëra viktima të gjenocidit serb, të ndërmarrë me qëllim të pengimit të krijimit të një shteti shqiptar në Ballkan. Së paku një memorial për to ka mundur të ngrihej dikund, qoftë dhe në një kodër të vetmuar, nëse jo në kryeqytetin e shtetit shqiptar. Megjithëse rendi e ka dashur që kjo të bëhej mu në kryeqytetin e këtij shteti.
Nëse Serbia ka ngritur memorial për ushtarët francezë, që e kanë ndihmuar në Luftën e Parë Botërore, pse nuk ka mundur Shqipëria ta ngrejë një memorial për kontributin e shqiptarëve të Kosovës për të? Fatkeqësisht, për këto njëqind vjet, ato viktima kanë mbetur të pavajtuara e të patrajtuara nga shteti shqiptar që u krijua edhe me gjakun e tyre.

Për shkak të problemeve që i lindën shtetit të ri, duke përfshirë edhe konfliktet civile menjëherë pas themelimit të tij, shteti shqiptar nuk pati kohë as mundësi të mirrej me vlerësimin e atij kontributi të shqiptarëve të Kosovës. Bile, pas ikjes së princ Vidit, edhe garda me vullnetarët shqiptarë të Kosovës që e mbrojti atë, më nuk pati punë në Shqipëri. Ashtu u mbyll kapitulli i kontributit të njerëzve të Kosovës për mbijetesën e Shqipërisë, sepse asaj nuk i ndihmoi asgjë që të mbijetonte në rrëmetin e luftës botërore.

Angazhimet e ndonjë idealisti të papërmirësueshëm si puna e Bajram Currit e Hasan Prishtinës pas Luftës së Parë Botërore, ishte një episod i dhimbshëm i njerëzve që nuk e kishin kuptuar se ndarja tashmë ishet fatale dhe se ata po trajtoheshin si do të huaj që po i “futnin hundët” në punët e shtetit shqiptar, për ç’gjë edhe paguan me kokën e vet. Nuk është e besueshme se mund të vihet në vend as kontributi dhe nderi i tyre as në këtë njëqind vjetor të shtetit shqiptar, sepse me kriterin që vlerësohen, “si kosovarë” ata thjesht do të mbeten të pavlerësuar realisht, ashtu si ka mbetur pra edhe gjithë kontributi i gjithë Kosoëvs për pavarësinë e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, me asgjë nuk mund të kuptohet pse nuk u vlerësua një fakt tjetër: roli i Kosovës pas ndarjes së tokave shqiptare, si digë për ta mbrojtur Shqipërinë e pavarur. Pothuajse secili shtet ka vlerësim të veçantë për zonat periferike të kombit, sepse ato vuajnë më shumë dhe e mbrojnë qendrën. Në rastin shqiptar, kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, është krijuar sterotipi morbid për “malokët kosovarë”. Ndërsa, e vërteta e provuar plotësisht është se pa rezistencën e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi, Shqipëria do të gjendej nën goditje shumë më të egra të fqinjit të saj jugosllav. Nuk është e qartë se a ka vullnet dhe aftësi Shqipëria që së paku me rastin e njëqindvjetorit të themelimit të vet, të jep përgjigje të duhur në këto çështje, ndonëse edhe përgjigjet më të fisme, do të jenë shumë të vonuara.

Dilemat e sotme të Kosovës

E dyta, viti 2012 paraqet një rast që edhe Kosova të jep përgjigje në disa dilema që janë ngritur lidhur me të ardhmen e saj, dilema që janë ngritur qoftë si reale qoftë të shpifura, veçmas lidhur me bashkimin kombëtar. Në kushtet kur Shqipëria me asgjë nuk e manifeston prirjen drejt bashkimit, a ka Kosova fuqi  që ta transformojë këtë gjendje dhe të bëhet bartëse e atij projekti? Pra, Kosova që ende është një shtet i dobët, në një proces të mundimshëm të ndërtimit të shtetit dhe nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Fransis Fukujama thotë me të drejtë se “ dobësia e shtetit është një problem si kombëtar, ashtu dhe ndërkombëtar i rendit të parë”, që në rastin e Kosovës do të thotë se fillimisht duhet të eliminohen dobësitë e shtetit ekzistues, e mos të ndërmirren veprime që do ta shndërronin Kosovën nga një zgjidhje ndërkombëtare që ka qenë krijimi i saj, në një problem të ri ndërkombëtar. Por, krahas dilemës së mësipërme se a mundet Kosova ta transformojë indiferencën e Shqipërisë drejt bashkimit, ka edhe dilema të tjera më dramatike se e para: a mundet Kosova të mbijetojë si shtet më vete, në një rrethim jo fort miqësor dhe me një shtet me të cilin ende është në gjendje lufte? Apo tjetra, si ta gjejë  Kosova rrugën e saj e të “ecën vetë”, ashtu siç bën edhe “shteti amë”, i cili për këto njëqind vjet e ka harruarr amësinë e vet.
 
Një komb me dy koka

Unë i kuptoj thellësisht nostalgjikët e bashkimit kombëtar, si nacionalistët idealistë që janë pasues të Hasan Prishtinës, ashtu edhe aventurierët ideologjikë që janë pasues të Bajram Currit. Ata janë të vetëdijshëm për padrejtësinë që i është bërë kombit shqiptar, për vuajtjet e brezave, për mundësitë që do të jipte bashkimi kombëtar për zhvillimin e gjithanshëm të kombit tonë. Por, ata nuk janë të vetëdijshëm se ndarja njëqind vjeçare tashmë ka prodhuar  një komb që i ngjet simbolit të vet, shqiponjës me dy koka, pra një komb me dy koka, që nuk shikojnë gjithmonë në të njëjtin drejtim. Ata para se të bëjnë çfarëdo pune për bashkimin politik, duhet të bëjnë diçka për ndërprerjen e ndarjes së mëtejshme shpirtërore të këtyre dy njësive. Suksesi i njëqind vjetorit do të ishte i madh nëse kjo ndarje shpirtërore do të frenohej disi.

Fjala vjen, deri sot askush nuk e ka hulumtuar në mënyrë shkencore se cilat janë vrragët që ka lënë jugosllavizmi në shpirtin e shqiptarëve të Kosovës, përgjatë pushtimit gati njëshekullor serb, sikundër që askush ende nuk e ka hulumtuar se cilat janë vrragët që kanë lënë në shpirtin e shqiptarëve të Shqipërisë helenizmi dhe komunizmi. Pjesët e paharmonizuara të asnjë objekti, por as të një kombi, nuk mund të bashkohen pa u dhunuar, ose e pakta pa u dëmtuar ndonjëra prej tyre ose të dyja pjesët. Pa u harmonizuar elitat politike, elitat fetare, elitat ushtarake, elitat financiare, elitat kulturore, etj., nuk ka mundësi të harmonizohen pjesët e ndara për një shekulli të plotë të kombit shqiptar. Masat nuk e bëjnë bashkimin, ashtu si këlthasin populistët e ndërkryer.
Nëse këto elita duan të fillojnë ndonjë proces njohjeje e afrimi, rastin e kanë pikërisht gjatë vitit 2012, si vit që prodhon më shumë kujtime të përbashkëta. Por, nga sa po shihet,  nuk do të ketë ndonjë përparim thelbësor në këtë drejtim. Gjasat janë që Shqipëria do të kremtojë në një mënyrë të drunjtë njëqind vjetorin e themelimit, pra sa për adet e për hesap të vetin, por pa bërë ndonjë reflektim, pa bërë ndonjë korrigjim, pa bërë asnjë vlerësim kritik. Dhe do të kërkojë që Kosova të jetë prapë në bisht të kremtes, pasi ajo të kenë ndodhur, si puna e Isa Boletinit në filmin “Nëntori i dytë”.

Në vend se të tregohej se si Isa Boletini po luftonte në Merdare kundër katër divizoneve të armatës serbe të kral Petrit e të Bozhidar Jankoviqit, që ata të mos arrinin në Vlorë, ai paraqitet teatral e patetik, nën shikimin sipëranë të vendalinjve, që kishin marrë shtetin shqiptar në pronësi me këngë e me valle. Me siguri kjo klishe do të aktivizohet edhe gjatë kremtimeve të vitit 2012. Prandaj, as një shekull pas themelimit, nuk është e qartë se ku është fshehur ajo Shqipëri e Isa Boletinit, më saktë ajo Shqipëri e Kosovës, e lagur nga lumenj gjaku të shqiptarëve të saj, në mbrojtje të shtetit shqiptar.

Dhe nuk do të dihet asnjëherë, deri sa ideologjia kombëtare të çlirohet nga prangat e helenizmit e të komunizmit, të cilat e kanë shfytyruar deri në palcë. Ajo Shqipëri e Isa Boletinit dhe e Kosovës mbarë është fshehur e injoruar, sepse nuk ka qenë filogreke e filosllave. Dhe nuk ka qenë antiislame. Prandaj, edhe është hequr nga themelet e shtetit shqiptar krejtësisht. Nga themelet që edhe pas njëqind vjetësh nuk janë forcuar aq sa është e domosdoshme, për ta mbajtur vetë ngrehinën e këtij shteti. Dhe kjo për shkak se nën trysninë e helenizmit të paketuar si gjoja oksidentalizëm dhe të pansllavizmit të paketuar si komunizëm, Kosova shqiptare dhe kontributi i saj sublim për pavarësinë e Shqipërisë, është hequr tinëzisht nga themelet e asaj ngrehine shtetërore dhe nga vetë kujtesa e shtetit shqiptar. Prandaj as ideja e bashkimit nuk po zë truall në Shqipëri.   (FRI)
Azhornuar sė fundi ( Mittwoch, 28 Dezember 2011 )
 
< I mėparshmi   Tjetri >
© 2008-2012 Xhamia - Mesxhid El Resul Wels | Xhamia-Wels.Com