Ballina arrow Da'wa arrow ISLAMOFOBIA
ISLAMOFOBIA PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Administrator   
Dienstag, 06 Dezember 2011

Duket se qarqe të caktuara në Perëndim e në botë nuk mundet dot të jetojnë pa peshkuar dhe pa provokuar njëkohësisht armiq nga kultura të ndryshme nga ajo e tyre dhe duke i stigmatizuar ato si burimi i së keqes. Kjo nuk është diçka e re në historinë e Perëndimit, fobia ndaj mbulesës së femrës muslimane, referendumi kundra minareve të xhamive dhe ksenofobia ndaj prezencës në rritje të vetë muslimanëve në këtë pjesë të botës duket se në një farë mase të kujton rritjen e urrejtjes antisemite në Evropën e viteve 30’. Ashtu si atëherë qarqe fashiste edhe sot qarqe të djathta ekstremiste dhe konservatore duket se tentojnë që për arsye pragmatiste dhe politike ta shndërrojnë Islamin dhe muslimanët në kupën e zemërimit ku ata do të derdhin arsyet e krizave të tyre, që kjo botë po përjeton. Kjo tendencë duket se ka pasur rritje në veçanti pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, që për ta paska qenë pikërisht precedenti i munguar për të penalizuar një fe dhe kulturë të tërë. Në fakt duket se historikisht njerëz dhe kultura që tentojnë të jenë monolite, egocentrike dhe nuk pranojnë kontributin e të tjerëve priren që forcën e jetës dhe të zhvillimit ta gjejnë pikërisht tek armiqësia ndaj tjetrit dhe të projektojnë tek ai qoftë edhe një pjesë të fatkeqësive të tyre. Në mjaft raste duket se një mekanizëm i tillë ka funksionuar mjaft mirë.

 

Përkundrejt kësaj islamofobie të niveleve të larta, që përjeton sot perëndimi duket se edhe muslimanët shpesh reagojnë keq, së pari duke stigmatizuar të gjithë Perëndimin si islamofob dhe për rrjedhojë duke projektuar qoftë edhe një pjesë të fatkeqësive të tyre tek këta rivalë shekullorë. Natyrisht që kjo bie ndesh me mësimet islame, të cilat thonë se: “Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj një pjese të njerëzve për të qenë të padrejtë. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë.”

Dhe “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” Ndërsa parimet islame për asnjë moment nuk bëjnë fajtor për fatkeqësitë të tjerët, qofshin këta edhe armiqtë më të ashpër: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet është si pasojë e asaj që keni bërë vetë.” (30:42).

 

Dhe së dyti, tek një pjesë tjetër e muslimanëve islamofobia duket se ka prodhuar ndjenjën e të qenit inferior si dhe vetëpenalizmin e kulturës dhe fesë që ata mbartin, kjo për rrjedhojë është duke çuar drejt zhveshjesh identitare islame të këtyre muslimanëve dhe drejt asimilimit në kulturat ofensive.

Duke e mbyllur do të shprehesha se islamofobia nuk është gjë tjetër vetëm se “një verë e vjetër në fuçi të re”, e cila duket se ka dehur keq shumë prej atyre që nuk jetojnë dot pa e pirë atë, ashtu siç edhe aroma e saj duket se ka trullosur ca më keq akoma ata të cilët e kanë të ndaluar ta pinë atë. Le ta lusim Zotin që të mos shtohen të dehurit andej dhe këndej!

Azhornuar sė fundi ( Dienstag, 06 Dezember 2011 )
 
Tjetri >
© 2008-2012 Xhamia - Mesxhid El Resul Wels | Xhamia-Wels.Com