Ballina arrow Sunneti dhe Hadithi arrow Vlera e muajit Muharrem dhe agjėrimi i ditės sė ashures
Vlera e muajit Muharrem dhe agjėrimi i ditės sė ashures PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Administrator   
Dienstag, 06 Dezember 2011
 
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira qofshin mbi të Dërguarin, sal-lAllahu alejhi ue selem.
Me të vërtetë muaji Muharrem është një muaj madhështor dhe i begatuar te Allahu xhele shanuhu, është muaji i parë i vitit hixhrij (hënor) dhe njëri prej katër muajve të ndaluar dhe të shenjtë, Allahu thotë:
“Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë, ashtu siç është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë,dhe mos e dëmtoni veten tuaj (me mëkate) në ata….” (Teube, 36).

Transmetohet nga i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, se ka thënë: “Viti i ka dymbëdhjetë muaj, katër nga ata janë të ndalua, tre janë varg: Dhul ka’de, Dhul hixhe dhe Muharrem kurse muaji Rexheb është në mes Xhumadej dhe Shaban” (Transmeton Buhariu nr.2958).
Vetë fjala Muharrem ne gjuhën arabe d.m.th: “e ndaluar”. Në ajetin e sipërshënuar ku Allahu thotë: “dhe mos e dëmtoni veten tuaj në ata”  pra në muajt e ndaluar, sepse mëkati është më i madh në këta muaj sesa te të tjerët .
Kurse Abdullah ibn Abbasi ka thënë për këtë ajet: mos e dëmto veten tënde në çdo muaj, e më pas Allahu i ka veçuar këta katër muaj, i ka bërë të ndaluar dhe e ka madhëruar shenjtërinë e tyre, ku  mëkatimin edhe shpërblimin i ka shumëfishuar në këta muaj .

VLERA E AGJËRIMIT TË MUAJIT MUHARREM
Ebi Hurejre, radijAllahu anhu, transmeton se i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut Muharrem.” (Transmeton Muslimi nr.1982).
I Dërguari i Allahut këtë e quajti muaj të Allahut për shkak të vlerës dhe madhërisë. Është vërtetuar se i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, nuk e ka agjëruar asnjë muaj tërësisht përpos muajit të Ramazanit, kështu që nga ky hadith nënkuptojmë vlerën e agjërimit sa më shumë të ditëve të këtij muaji të bekuar.

DITA E ASHURES NË HISTORI:

Transmetohet nga Abdullah ibn Abbasi i cili ka thënë: Erdhi i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue selem, në Medinë dhe i pa çifutët duke agjëruar ditën e Ashures dhe tha: Ç’është kjo? I thanë: Kjo është ditë e mirë, në këtë ditë Allahu i shpëtoi beni Israilët nga armiku i tyre dhe e ka agjëruar këtë ditë Musai alejhi selam.Tha:Unë jam më meritor për Musain alejhi selam sesa ju, dhe e agjëroi këtë ditë dhe ka urdhëruar që të agjërojnë”. (Transmeton Buhariu nr.1865).
Në transmetimin e Muslimit është përmendur në hadith:”Kjo është një ditë e madhe, në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain alejhi selam dhe popullin e tij, dhe e fundosi Faraonin dhe popullin e tij, dhe e ka agjëruar Musai alejhi selam në shenjë falënderimi ndaj Allahut andaj edhe ne e agjërojmë këtë ditë”.
Kurse në transmetimin e imam Ahmedit është përmendur kështu:”…dhe kjo është dita kur është ndalur anija (e Nuhit alejhi selam.) në kodrën Xhudij dhe e ka agjëruar këtë ditë Nuhi alejhi selm, në shenjë falënderimi ndaj Allahut”.
Poashtu transmetohet nga Buhariu se i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, i ka thënë shokëve të tij: ”Ju jeni më meritor për Musain alejhi selam sesa ata (çifutët) andaj agjërojenikëtë ditë!”
Agjërimi i ditës se Ashures ka qenë traditë e njohur edhe në periudhën e injorancës (para shpalljes së Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue selem) dhe transmetohet nga Aisheja, radijAllahu anha,  e cila ka thënë: “Populli i injorancës agjëronin këtë ditë.”
Imam Kurtubiu thotë: “Me siguri kurejshëve i ka mbetur kjo traditë nga feja e Ibrahimit alejhi selam, dhe është vërtetuar se i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, e ka agjëruar këtë ditë edhe në Meke para se të shpërngulej në Medinë, pastaj ka hasur te çifutët të cilët e festonin këtë ditë, gratë e tyre u stolisnin me rroba të bukura, dhe për t`u dalluar besimtarët nga jobesimtarët, i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, nuk ua lejoi muslimanëve kremtimin kësaj dite por i urdhëroi besimtarët me agjërim.
VLERA E AGJËRIMIT TË DITËS SË ASHURES
Transmetohet nga ibën Abasi, radijAllahu anhu, i cili ka thënë: “Asnjë herë nuk e kam parë të Dërguarin sal-laAllahu alejhi ue selem më të kujdesshëm në agjërim sesa për agjërimin e ditës së Ashures dhe muajit të Ramazanit.” (Buhariu nr.1867).
Poashtu ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue selem: ”Me agjërimin e ditës së Ashures shpresoj tek Allahu të m`i fal mëkatet e vitit të kaluar.” (Muslimi 1976).
Pra kjo është dhuntia dhe mëshira e Allahut xhele shanuhu ndaj besimtarëve, ku për një ditë të agjërimit vullnetar i shlyen gjynahet e një viti. Andaj të jemi sa më të kujdesshëm që mos të na kalojë kjo ditë pa e agjëruar.

CILA DITË ËSHTË ASHURA?
Vet fjala “Ashura” në gjuhën arabe d.m.th. “e dhjeta” pra dita e dhjetë e muajit Muharrem.
ËSHTË SUNNET QË TË AGJËROHET DITA E NËNTË DHE E DHJETË E KËTIJ MUAJI
Transmetohet nga Abdullah ibni Abasi, radijAllahu anhu, se ka thënë: “Kur agjëroi i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue selem ditën e dhjetë dhe urdhëroi për të agjëruar ,i thanë shokët e tij: Këtë ditë e madhërojnë çifutët dhe të krishterët o i Dërguar i Allahut! Ai ua ktheu duke thënë:”Kur të vjen viti i ardhshëm inshaAllah e agjërojmë edhe ditën e nëntë”, dhe nuk e përjetoi i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue selem vitin e ardhshëm dhe vdiq.” (Muslimi nr.1916).
Megjithatë, agjërimi i ditës se nëntë mbetet sunet i të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel em për umetin e tij edhe pse nuk e ka përjetuar këtë ditë të agjërimit, sepse po të ishte gjallë e kishte agjëruar këtë ditë.
Shejhul islam ibën Tejmije thotë: “Kuptohet qartë nga ky hadith se qëllimi i agjërimit të ditës së nëntë dhe dhjetë të muajit Muharrem është të dalluarit nga ithtarët e librit (çifutët dhe të krishterët) dhe mos përngjasimi me ta.”

CILAT MËKATE FALEN ME AGJËRIMIN E DITËS ASHURA?
Imam Neueuiu thotë: “Me agjërimin e ditës Ashure falen të gjitha mëkatet e vogla përpos mëkateve të mëdha.”
Poashtu thotë ibën Tejmije: “Abdesi, namazi, agjërimi i muajit të Ramazanit, ditës së Arafatit dhe ditës se Ashures falen vetëm mëkatet e vogla.”
Ndërsa sa i përket mëkateve të mëdha duhet penduar me kushtet e pendimit.
RISITË (BIDATET) E DITËS SË ASHURES
Është pyetur shejhul islam ibën  Tejmije -Allahu e mëshiroftë- për veprimet që veprojnë njerëzit në ditën e Ashures, si p.sh: lyerja e duarve me kanë, larja e trupit, përshëndetjet, zierja e farave (grurit), kremtimet etj. A janë të bazuara këto veprime në Kur’an dhe sunet apo jo?
Përgjigjja: Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhëruar, për asnjë vepër të tillë nuk është transmetuar ndonjë hadith nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue selem as nga shokët e tij, e as që e ka pëlqyer dikush prej dijetarëve islamë apo dikush nga katër imamët ose dikush tjetër, as që është transmetuar ndonjë argument i saktë apo i pasaktë për gjëra të tilla në librat më me famë islame nga i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue selem, sahabet apo tabiinët.
Më pas tregon ibën Tejmije gjarjet dhe sprovat që kanë ndodhur në fillimin e këtij ummeti si vrasjen e Husejnit radijAllahu anhu, dhe çfarë  kanë shpikur sektet dhe grupacionet më pas, në vazhdim thotë:
Kanë dal grupe njerëzish injorantë dhe dëmbërës dhe janë të ndarë në dy sekte:

1. Shtrembëruese së të vërtetës, hipokrite, ose

2.Të humbur e degjeneruar të cilët pretendojnë dashurinë e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue selem, dhe familjes së tij e shndërrojnë ditën e Ashures në ditë te pikëllimit dhe vajtimit, ku demonstrojnë simbole të injorancës si rrahja e vetes, grisja e rrobave, brohoritja me ngushëllime të injorancës, recitime të poezive pikëlluese si dhe transmetimin e tregimeve të rrejshme e të trilluara dhe nuk ka në te asgjë të vërtetë përpos ripërtëritjes së pikëllimit, radikalizmit, revoltimit të urrejtjes, luftës dhe shpikjen e fitneve në mesin e muslimanëve dhe gradualisht arrijnë deri tek sharja e sahabeve … Sherrin dhe dëmin e këtyre ndaj Islamit dhe muslimanëve nuk mund t`i numërojë as njeriu i cili është më orator në gjuhën e tij.
Pra, ata të cilët kanë rënë në ketë besëtytni ose janë radikalët dhe ekstremistët ndaj Husejnit radijAllahu anhu (shiitëtme grupet e tyre), ose i takojnë grupit të injorantëve të cilët të keqes iu kanë përgjigjur me të keqe dhe gënjeshtrës me gënjeshtër dhe bidatit me bidat, kanë shpikur tradita që simbolizojnë gëzimin dhe kremtimin e ditës së Ashures me lyerjen e kanës, harxhimet brenda familjes me zierjen e ushqimeve (ëmbëlsirave) të dalluara nga ditët e zakonshme, e gjëra të ndryshme sikur që bëhen në ditët e bajrameve dhe gëzimeve, pra këta e konsiderojnë ditën e Ashures ditë të bajramit dhe të gëzimit, kurse ata të parët e konsiderojnë ditë zie dhe pikëllimi dhe që të dyja grupet janë jashtë Sunetit të Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue selem. (El-Fetauel Kubra – Ibën Tejmije).
Lexues të nderuar! Sa jemi nevojtarë për këto ditë të begatshme të Allahut, që të na falen gabimet dhe gjynahet tona dhe të jemi robër falënderues të të Madhit Allah, andaj së bashku të jemi më të kujdesshëm në shfrytëzimin e këtyre ditëve duke e përkujtuar njeri-tjetrin me agjërim dhe adhurim.
E lusim Allahun e Madhëruar të na bëj prej pasuesve të Sunetit të Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue selem, dhe të na gjallërojë me islam dhe të vdesim me iman.
E lusim Allahun të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin e Tij. E lusim të na pranojë lutjet tona dhe të na bëj të devotshëm.

Paqja dhe mëshira Allahut qoftë mbi Muhamedin, sal-lAllahu alejhi ue selem, familjen dhe shokët e tij. Amin!
Azhornuar sė fundi ( Dienstag, 06 Dezember 2011 )
 
< I mėparshmi   Tjetri >
© 2008-2012 Xhamia - Mesxhid El Resul Wels | Xhamia-Wels.Com