Ballina arrow Artikujt arrow MI’RAXHI
MI’RAXHI PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Administrator   
Sonntag, 26 Juni 2011

Mr. Muhidin Ahmeti

 


 

 

  MI’RAXHI - NGRITJE DHE POROSI  

“Qoftë lartësuar Ai i cili e kaloi robin e vet në një pjesë të natës prej Mesxidi Haramit (Mekës) deri në Mesxhidi Aksa (Jerusalem), rrethinën e të cilit e kemi bekuar, në mënyrë që t’i tregojmë disa nga augmentet tona. Ai me të vërtetë dëgjon dhe sheh çdo gjë”. (Isra: 1)

 

 Me një ngjarje e përjetim jo të zakonshëm, All-llahu xh.sh.  i bëri nder Pejgamberit të Tij të fundit - Muhmmedit a.s. duke ia mundësuar  të bëjë Isran -Udhëtimin dhe Mi’raxhin - ngritjen në çastet më të vështira të jetës së tij.

Ishte viti i dhjetë i Shpalljes hyjnore dhe në atë kohë Muhammedi (a. s.) i humbi dy njerëzit më të dashur. Fillimisht i vdiq axha Ebu Talibi - mbrojtësi i tij besnik dhe përkrahësi i fuqishëm në çastet më të vështira të jetës së tij, e pastaj i vdiq edhe Hadixhja, gruaja e tij e parë, muslimanja e parë dhe bashkëshortja e jetës. 

        Me vdekjen e tyre e humbi përkrahjen morale, madje edhe fizike dhe ra në krizë, të cilën idhujtarët kurejshit do ta shfrytëzojnë maksimalisht duk i sjellë fatkeqësi të papara. Në këtë gjendje dëshpërimi, Pejgamberi (a. s.) u nis për në Taif (qytet jo larg Mekës) duke shpresuar se atje do të gjejë përkrahje dhe vend të përshtatshëm për të kultivuar farën e fjalës së Zotit. Mirëpo,  meqë shpirtrat e paganeve taifas akoma nuk ishin të gatshëm ta pranojnë Porosinë hyjnore, rinia, të nxitur nga prindërit e sulmuan ashpër me gurë  dhe për herë të parë u derdh gjaku i Pejgamberit të All-llahut - Muhammedit (s). Prandaj ai vit u quajt“Sennetu-l-Huzni-Viti    dëshpërimit”. Në këtë krizë të thelë dhe në këtë gjendje të rëndë dëshpërimi, Pejgamberi (a. s.) gjeti strehim të një kopsht, i ngriti duart lartë kah qielli duke iu lutur All-llahut thellë nga shpirti për ndihmë e përkrahje:         “O Zoti im,  Ty të ankohem për dobësinë e paaftësinë time dhe për njerëzit, që nuk më kuptojnë. Ma shpejto ngadhënjimin e së vërtetës ose ma merr shpirtin dhe më thirr te Vetja jote në botën tjetër më të mirë.”         Në ato çaste  të rënda të jetës së tij, me të kthyer në Mekke, All-llahu (xh. sh.) ia pranoi lutjen Pejgamberit (a. s.) duke e përgëzuar dhe duke ia plotësuar atë me një ngjarje të jashtëzakonshme me Isranë dhe Mı’raxhin.         Isra’ dhe Mi’raxh është njëra nga katër netët e mëdha  të zgjedhura të muslimanëve të cilën ata e presin dhe e kalojnë në ibadet duke e përkujtuar këtë ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme si për Muhammedin (a. s.) ashtu edhe për të gjithë muslimanët.         Isra’ do të thotë udhëtim i Muhammedit (a. s.) me ndihmën e All-llahut (xh. sh.) prej Mekës derı në Kuds-Jerusalem, kurse Mi’raxh është ngjitja e tij prej Kudsit deri në hapësirat më të larta qiellore të cilat s’mund t’i kap e t’i kuptojë mendja e njeriut.         Ky ishte një udhëtim i pazakonshëm me të cilin Muhammedi (a. s.) mori përkrahje të madhe nga All-llahu xh.sh. dhe iu tregua respekt i veçantë që nuk e kishte  pasur askush më parë. Të shohim si ndodhi kjo ngjitje shpirtërore përgjatë vertikales së botëve qiellore.          Muhammedi  (a. s.) po atë natë, natës e Israsë  nga Mesxhidi Aksaja (Jerusalemi) u nis për në lartësitë qiellore, kurse meleku Xhebrail  i hapte rrugët, të cilat ishin të lejuara për të dy. Ishte kjo një natë e bekuar dhe fatlume. Buraku, që është më i shpejtë se drita e vetëtima, ishte përgatitur të bartë atë i cili ishte caktuar të vizitojë mbretërinë kozmike të Zotit. Me një shpejtësi të paimagjinuar arriti në botën e parë qiellore. Kur ja,  aty e pa Ademin (a. s.) - babanë e njerëzimit, i cili e përshëndeti dhe i shprehi mirëseardhje, kurse Alejhiselami e ripërshendeti dhe  e vërtetoi Pejgamberllëkun e vet. Pastaj vazhdoi udhëtimin në botën e dytë qiellore, e cila iu hap dhe në të cilën takoi dy Pejgamber të Zotit (xh. sh.) Jahjha ibën Zekerijanë dhe Isa ibën Merjeme, të cilët  e përshëndesin dhe i shprehin mirëseardhje, kurse Muhammedi ia kthen selamin dhe aty e dëshmon Pejgamberllëkun e vet. Më pastaj Muhammedi (a. s.) u ngjit në botën e tretë qiellore ku takon  Jusufın (a.s.), i cili jep selam dhe i shpreh mirëseardhje, kurse Muhammedi (a. s.)  ia kthen selamin dhe përsëri e vërteton edhe aty pejgamberllëkun e vet. Duke vazhduar rrugën  e vet të Mi’raxhıt, Pejgamberi ( a. s.) hyri në sferën e katërt qiellore, kur ja aty i doli para Idrisi (a. s.), duke e përshëndetur njëri- tjetrin dhe duke e konfirmuar edhe njëherë pejgamberllëkun e vet, Muhammedi (a. s.) ngjitet në botën e pestë qiellore dhe me atë rast i paraqitet  Haruni (a. s.). Duke e konfirmuar edhe aty misionin e vet dhe duke e lënë prapa botën qiellore të Harunit, ngjitet në qiellin e gjashtë ku papritmas i shfaqet Musai (a. s.).  Si gjithkund edhe  këtu iu tregua respekt e mirëseardhje dhe iu konfirmua pejgamberllëku i tij. Mirëpo, kur Pejgamberi (a.s.) kaloi pranë kësaj sfere Musai (a. s.) filloi të qajë dhe në pyetjen e Muhammedit  (a. s.) se ç’të bëri të qash? Ai u përgjigj: “ Pjesëtarët e pejgamberëve të Zotit më të rinj së unë, do të hynë në Xhennet më shumë se pjesëtarët e mijë”. Duke u ngjitur edhe më lartë, Pejgamberi (a. s.) arriti në botën e shtatë qiellore, kur ja aty Ibrahimi (a. s.)  i mbështetur për Qabe , në të cilën hynin çdo ditë  shtatëdhjetë mijë melekë, dhe nuk ktheheshin më. Me atë rast Ibrahimi (a. s.) e përshëndeti, i shprehu mirëseardhje  Pejgamberit (a. s.) dhe i tha: “O Muhammed dërgoi selam prej meje Ummetit tënd  dhe urdhëroi ata të përgatisin e të mbjellin sa të munden farë xhenneti, sepse trualli i Xhennetit është pjellor kurse toka është shumë e gjerë. Por cila është fara e Xhennetit, e pyeti Pejgamberi (s):          “La havle ve la kuvvete il-la bil-lahi -l- alijji-l-adhim”- “S’ka  transformim as forcë përveç se me ndihmën e All-llahut të Lartëmadhërishëm”, iu përgjıgj Ibrahimi (a. s.)              Pas takimit me Ibrahimin, Pejgamberi a.s. vazhdoi rrugën dhe arriti deri në Sidretu’l-Munteha – perdja e fundit deri ku arrin mendja e njeriut, deri atje ku është kufiri, të cilin askush nuk e ka shkelur dhe as që do te jetë i kaluar ndonjëherë në të ardhmen, deri atje ku pushon çdo njohuri dhe çdo mendje e të gjitha krijesave të Zotit dhe prapa të cilit fillon bota e gajbit (bota e sekreteve), bota shpirtërore, Sidren e kishte mbuluar një mbulesë me gjëra të Zotit që askush nga krijesat e tij nuk është në gjendje të përshkruajë bukurinë e saj, Aty Pejgamberi  (a. s.) e pa Xhebrailin në formën dhe natyrën e tij të vërtetë, e  pa Xhennetin: bukuritë dhe mrekullitë më madhështore të Zotit. Ja si e përshkruan All-llahu xh. sh. Këtë ngjarje të jashtëzakonshme në Kur’anin e Tij famëlartë:          “Pasha yllin kur perëndon. Shoku juaj nuk është larguar nga rruga e drejtë dhe as nuk është i humbur. Ai nuk flet me hamendje. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër, vetëm se shpallje që i shpallet. E mëson një melek me forcë të madhe. Pastaj iu afrua dhe iu afrua shumë. Afër sa dy harqe apo edhe më afër. Dhe i shpalli robit të Vet atë që i shpalli. Zemra nuk e mohoi atë që e pa. A polemizoni me të për atë çfarë ka parë? Ai e ka parë edhe herën tjetër. Në Sidretu’l-Munteha. Aty është pranë Xhenneti. Kur Sidren e mbuloi çfarë e mbuloi. Shikimin nuk ia kthei as  s’e hutoi! Pa mrekullitë më madhështore të Zotit të vet.” (En-Nexhm: 1-17)         Aty Pejgameri (a. s.) mori urdhrin që t’u komunikojë ithtarëve të vet se janë të obliguar t’i drejtohen me lutje Zotit dhe ta falin namazin 50 herë brenda 24 orëve. Me propozimin e Musait për ta zvogëluar këtë numër, i cili më herët e kishte provuar paaftësinë dhe dëgjueshmërinë e nënshtrueshmërinë e dobët të popullit izraelitë, Muhammedi (a. s.) kërkoi nga All-llahu (xh. sh.) lehtësim për ymmetin. All-llahu (xh. sh.) ia pranoi kërkesën Pejgamberit duke i reduktuar prej 50 kohëve në pesë kohë namazi, por shpërblimi do të jetë plotësisht i barabartë me 50 namaze.         Nëse duam edhe më tej ta ndjekim Pejgamberin e Zotit në Mi’raxhin e tij, mos ta ndahemi nga falja e namazit. I kemi dhënë besën Zotit se namazin do ta falim dhe Pejgamberin (a.s.) në Mi’raxhin e tij do ta ndjekim.         Udhëtimi i Mi’raxhit vazhdon dhe Pejgamberi (a. s.) e tejkalon me sukses çdo pengesë që i del përpara. Duke e përshkruar këtë udhëtim të mrekullueshëm të ngritjes së intelektit njerëzor drejt atij hyjnor, Pejgamberi (s) thotë: “Më barten prej një perdeje në tjetrën derisa i kalova 70 perde, e gjerësia e së cilës ishte pesëqind vjet udhëtimi; atje u lëshua një mbulesë e gjelbër (refrefi), drita e së cilës ishte më e fuqishme se drita e Diellit, e cila m’i verboi sytë. Më vendosen përmbi atë refref dhe arrita në Arshin e All-llahut. “Kur hyra në Arsh, desha të zbathem. Por dëgjova një zë nga All-llahu: “Mos u zbath! Arshi dhe Kursijj (Froni) janë të nderuara nën  këpucët tua”. Thash: “O Zoti im, vëllait tim Musait i the: “Zbathu, ti je në malin e shenjtë Tuva!” I Lartmadhërishmi u përgjigj: “Afrohu, o Ebu’l-Kasim! Musai nuk e ka tek Unë atë shkalë që  e ke ti. Po, Musai ka folur me Mua, por, ti je i dashuri Im. Musai kërkoi të Më shohë. Unë i thash: Nuk do t’ më shohësh para të dashurit Tim. Pastaj dëgjova një zë sipër meje: “Unë e heq hixhabin (perden) që është mes Meje dhe teje!” “Kur All-llahu (xh. sh.) e ngriti hixhabin (perden), i mahnitur thash: O edukuesi im:          Et-tehijjatu  lil’lahi ves-salavatu vet-tajjibatu! – Selamet më të mira, respekti dhe të gjitha të mirat qofshin për All-llahun!”            “Es-Selamu alejke ejjuhe’n-nebijju ve rahmetullahi ve berekatuhu!” – Edhe ty selam o Pejgamber dhe mëshira dhe bekimet e All-llahut”, tha All-llahu i Lartësuar. Unë i shtova:         “Es-Selamu alejna ve ala ibadil’lahi’s-salihin”!  - Selam të gjithë neve dhe të gjithë robërve të mirë të All-llahut”! Kurse  Xhebraili a.s. lëshoi një psherëtimë:         “Esh’hedu en la ilahe il’lallah ve esh’hedu ene Muhammeden abduhu ve resuluhu!” – Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është robi dhe Pejgamberi i Tij.”Pas kësaj i Lartësuari tha: “Afrohu o Ebu’l-Kasim!”, dhe unë iu afrova në distancën më të afërt. Ai më pyeti: “Me se do t’ Më nderosh o i dashuri Im?” “Me robëri ndaj Teje”, iu përgjigja. Atëherë i Lartësuari e shpalli:          “Qoftë lartësuar Ai që e kaloi robin e Vet në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (Qabës) deri në Mesxhidi Aksa (Jerusalem), rrethinën e të cilit e kemi bekuar, në mënyrë që t’i tregojmë disa nga argumentet Tona. Ai me të vërtetë dëgjon dhe sheh çdo gjë”. (Isra: 1)         Kjo ishte ngjitja e Pejgamberit (s) për gjatë vertikales së shtatë botëve qiellore që simbolizojnë shtatë shkallet e ngritjes së njeriut për gjatë vertikales së tij në përkryerjen shpirtërore.          Porositë e Mi’raxhit         Ishte afruar koha që Pejgamberi  (a. s.) të kthehet nga Mi’raxhi në Tokë dhe të na sjellë  porosinë qiellore, Fjalën e Zotit. Për vepra të mëdha, duhen inspirime të mëdha. Për veprën madhështore të Muhammedit – udhëtimi i Mi’raxhit natën deri tek burimi i Librit – ishte përsëri një inspirim dhe dëshmi e madhe baras me atë të Ramazanit në shpellën Hira. Ky frymëzim i Mi’raxhit ishte një garanci për Pejgamberin (a. s.) për ndihmën dhe sukseset që  do t’i ofrojë All-llahu (xh. sh.) në rrugën dhe misionin e tij të te shenjtë. Mi’raxhi paralajmëroi fitoren e fesë islame dhe përhapjen e saj të pandalshme. Mi’raxhi hapi dyert e shpresës njerëzore dhe mundësitë e suksesit për çdo individ veç e veç dhe për bashkësinë në përgjithësi.Rruga e kthimit të Muhammedit (a. s.) nga Mi’raxhi për në Bejtu’l-Makdis po ashtu ishte frymëzuese sikur edhe ngjitja e tij. Duke u kthyer, Pejgamberi (a. s.) hasi në disa pamje dhe shfaqje të çuditshme që i bënë mjaft përshtypje, mirëpo kuptimin e tyre nuk e dinte. Për këtë All-llahu (xh. sh.)  i kishte caktuar shoqëruesin – melekun Xhibril, i cili do t’i shpjegonte domethëniet e tyre. Në një hadith që e transmeton Taberaniu thuhet se Pejgamberi (s)  kaloi pranë një grupi njerëzish që mbillnin dhe të njëjtën ditë  e korrnin atë që e kishin mbjellë. Posa e korrnin ajo bëhej si kishte qenë më parë. E pyeta: ç‘është kjo o Xhibril? Këta janë – luftëtarët në rrugën e Zotit – vepra e mirë shtatë qind herë shpërblehet. Çdo gjë që kanë sakrifikuar ajo i shoqëron, sepse All-llahu është Shpërblyesi më i  mirë, iu përgjigj Xhebraili. Pastaj thotë Pejgamberi (a. s.) kalova pranë një turme njerëzish, të cilët i binin shkëmbit me kokë, sa herë që i thërrmonin kokat, ktheheshin në gjendjen e mëparshme dhe kështu vazhdimisht, por kjo nuk ua lehtësonte vuajtjen. E pyeta: “ç‘janë këta o Xhebrail. Ai m’u përgjigj: “Këta janë ata të cilëve u ka ardhur vështirë të falin namazin”.         Me këto dy shfaqje dhe shumë të tjera që s’mund t’i përmendim këtu për shkak të kohës së kufizuar, deshëm të tregojmë lidhjen që ka Mi’raxhi me jetën tonë të përditshme. Janë këto dy porositë më kryesore të Mi’raxhit: xhihadi – përpjekja dhe puna maksimale në rrugën e All-llahut dhe namazi – lidhja më direkte e njeriut me Zotin – krijuesin e tij.

         Mi’raxhi është treguesi më i mirë se si besimtari musliman duke marrë si model të përkryer Muhammedin (a. s.), duhet të ballafaqohet në mënyrë heroike me jetën dhe problemet e saj, me vështirësitë dhe krizat eventuale dhe në fund të dalë fitimtar. Mi’raxhi qe dhe mbeti pishtar dhe dritë e përjetshme për shpirtin religjioz të muslimanit. Veçanërisht me imitacionin e tij prej 5 namazeve brenda ditës që u bënë farz në Mi’raxh (Mi’raxhi i vogël). Të nderuar besimtarë, të përkujtojmë këtë natë të madhe, këtë udhëtim nate, sepse ai edhe sot e gjithherë do të jetë forcë e lëvizje e gjallë në Islam. Vetëm se duhet të jemi të aftë e të fuqishëm shpirtërisht që të kuptojmë vërtetësish rëndësinë e vlerën e Mi’raxhit dhe t’i shfrytëzojmë në mënyrë të drejtë e konstruktive frytet e tij. Kush e kupton dhe e përjeton këtë ngjarje, mund të themi se ai ka bërë mi’raxh me Pejgamberin (a. s.)

Azhornuar sė fundi ( Mittwoch, 04 Januar 2012 )
 
< I mėparshmi   Tjetri >
© 2008-2012 Xhamia - Mesxhid El Resul Wels | Xhamia-Wels.Com