Ballina arrow Artikujt arrow PORNOGRAFIA E PĖRGJITHSHME DHE MJERIMI MORAL
PORNOGRAFIA E PĖRGJITHSHME DHE MJERIMI MORAL PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Administrator   
Sonntag, 26 Juni 2011

Hyrje

 

            A është rroba jonë vetëm mbrojtje fizike e trupit tonë?

            A është ajo zbukurim i pamjes së jashtme?

Mbulim i defekteve trupore?

Paraqitje që është përcaktimi ynë jetësor?

Dëshmim i shijes së mirë?

Demonstrim i pasurisë dhe forcës?

A e dëshmon njeriu i zhveshur se është i mjerë?

A mundet njeriu i zhveshur të shoqërohet në mënyrë të barabartë me të veshurin?

Përse njeriu është lakuriq?

Përse e zgjodhi të jetë lakuriq?

Përse njeriu lakuriq dhe gruaja lakuriqe janë “aq shumë të vlefshme”?

Përse ofrohen pamje të tilla, përse aq shumë prodhohen?

Përse reklama për xhins-pantallona thërret në sex?

A nuk dinë vallë bashkëqytetarët tanë për udhëzimin e Zotit për tërheqshmërinë e  burrit dhe të gruas?

Vallë, a kështu duhet udhëzuar sikur nuk kemi bërë asnjë hap më tej nga vizatimi i njeriut në murin e shpellës?

A mund të mbrohemi nga ky agresion lakuriqësie?

A ka rrugë demokratike për mbrojtje?

Kujt mund t’i drejtohemi? Bashkësisë evropiane, apo OKB-së, forumeve për të   drejtat e njeriut...?

Vallë, si ka mundësi pas gjithë atyre shekujve të përparimit njerëzor, t’i    durojmë ata, të cilët, përkundër të gjithave, zgjedhin atë më të ultën, instinktiven.

Përse ato të mbuluarat prej kokës deri në këmbë, i konsiderojmë jonormale?

Përse i etiketojmë?

Përse u drejtojmë fjalë të ndyta dhe sharje?

Përse ato me “minifund” i konsiderojmë normale?

Përse disa konsiderojnë që të mbuluarit dhe të mbuluarat janë të rrezikshëm?

Përse të zhveshurit mendojnë se kanë të drejtë të zbulohen, e ata që janë të          veshur nuk kanë të drejtë të

mbulohen?

Përse disa burra duan që gratë e tyre të jenë të mbuluara, e të huajat të zbuluara?

Vallë, a nuk e dimë se asnjëherë nuk jemi vetëm?

Ku u zhduk turpi?

Përse e dëbuam atë mbrojtës të trupit dhe shpirtit?

Duke e mbrojtur trupin a e mbrojmë pavarësinë tonë?

A mundet njeriu lakuriq të jetë i pavarur jo vetëm nga shiu, dielli, të ftohtit?

A është rob njeriu lakuriq?

A janë sot grat lakuriqe dhe burrat lakuriqë më të mjerët robër të historisë?

 

A jetojmë në rendin botëror skllavopronar

A e zgjedh njeriu që të jetë rob?

Përse njeriu lakuriq nuk bërtet kur është lakuriq?

A nuk e ofendon kjo gjendje?

Përse njeriu, duke pasur një dhuratë kaq me vlerë – trupin -  e jep falas?

Përse nuk janë të vetëdijshëm që atë dhuratë e  kanë marr për një kohë të caktuar?

Përse e shesin një gjë që nuk është pronë  e tyre?

A mos vallë trupin e kemi krijuar vetë e mund edhe ta shesim atë?

A nuk meritojnë respekt këmbët tona që na bartin, duart tona që i shërbejnë trupit tonë dhe vendit, duar që ndërtojnë, gjoksi i grave që ushqejnë fëmijët e tyre, a nuk  u shërben për nder dhe a nuk meriton respekt, të paktën nga vetë ato?

Përse atëherë e zbulojnë para mijëra e qindra mijëra anonimësh?

Cili fëmijë fatzi do të ushqehej nga aty?

 

Përse ofendojmë trupin tonë?

A guxojmë të ofendojmë veprën e Zotit?

Përse njeriu është aq kryeneç?

A mos vallë për shkak të bukurisë që e krijoi Zoti?

A mos vallë, i vetmi kriter i respektimit të trupit tonë është dhembja?

A mos vallë vetëm dhembja është kriter i respektimit të vetes tonë, vlerave tona, dhuratave dhe begative me të cilat na furnizoi Zoti i Dashur?  Përgjigjja,           fatkeqësisht është pozitive.

Shumë tragjedi dhe katastrofa që kanë ndodhur në histori dhe ndodhin edhe sot, janë rezultat i anarkisë morale dhe e shkeljes së ligjeve dhe dispozitave të All-llahut (xh. sh.). Krijuesi ynë thotë:

“Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija)”.  (Es-shura, 30).

E në një vend tjetër Zoti i Gjithëfuqishëm thotë:

Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që tërhiqen (nga të këqijat). “  (Err-Rrum:419)

         “Këto janë dispozitat (kufijtë) e All-llahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e All-llahut, ata janë zullumqarë.”  (El-Bekare: 229)

        

A duhet vallë, ta durojmë këtë agresion?

Prandaj, ne pasuesit e Kur’anit fisnik dhe Pejgamberit të fundit të Zotit – Muhammedit (s) i thërrasim qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi që të vetëdijesohen dhe të shprehin pakënaqësinë e tyre kundër pornografisë së të gjitha llojeve. Apelojmë tek qytetarët tanë që të luftojnë dhe duke luftuar të mbrohen nga ky agresion  i pamëshirshëm, i paskrupullt i lakuriqësisë dhe imoralitetit. Kjo është në të mirën e tyre, familjeve dhe fëmijëve të tyre, përndryshe ndëshkimi do të jetë po aq i pamëshirshëm sa edhe vet agresioni pornografik.

 

 Kulti i  lakuriqësisë”

 

Fillimi i ditëve të nxehta në vendin tonë, edhe këtë vit si edhe vitet e kaluara, po shoqërohet me një invazion dhe vërshim të lakuriqësisë me përmasa të tmerrshme. Sezoni i verës, faktikisht, tashmë ka filluar, e masat e vajzave dhe grave (gjysmë) të zhveshura, tashmë ka pushtuar rrugët e qyteteve tona dhe fshatrave tona. Të fillojmë nga vetvetja! Të jemi  me moral që të mbetemi normalë.

Lakuriqësia, fatkeqësisht, është bërë evidente dhe një dukuri e vështirë për ta anashkaluar në shoqërinë tonë. Provokojnë sytë, zemrat dhe qetësinë e njerëzve normalë... Rrugët, parqet, ndërtesat, shkollat, fakultetet, televizioni, prezantuesit, estrada, teatri, aktorët, autobusët etj., fatkeqësisht, gjithnjë e më shumë u përngjajnë plazheve të detit. Mesazhet e reklamave në televizion, vërtet, janë bërë mesazhe të shkurtra filmike përplot me nxitje erotike, ku përveç lakuriqësisë, prostitucionit dhe perversitetit, promovohet, ushqimi, pija, rrobat, cigaret, alkooli, kozmetika etj.

Shtypi dhe revistat, gjithashtu, gjithnjë e më shumë promovojnë lakuriqësinë dhe imoralitetin. Televizori, si media më e fuqishme në kohën bashkëkohore, është përfshirë nga lakuriqësia dhe imoraliteti. E çfarë të themi për vërshimin e telenovelave dhe serialëve të ndryshme të cilët paraqesin dhe promovojnë lakuriqësinë, prostitucionin, dhunën, jetën e alkoolistit, narkomanit, homoseksualit, lesbikes si dhe format më drastike të perveristetit dhe sjelljeve devijante. Serialet e tilla shfaqin realitetin e një kulture dhe qytetërimi të bastarduar moralisht dhe të shthurur deri në përmasa të paimagjinura ku nuk merren parasysh dhe nuk respektohen  kurrfarë normash dhe kriteresh etiko morale dhe etiko njerëzore. Aty tregohet tërë destruktiviteti dhe çoroditja e familjes “moderne”, ku përmes disa televizioneve tona, të gjitha problemet e asaj familjeje mbarten edhe tek familja jonë shqiptare.

Vërshimi i shundit edhe në fjalë, edhe në poezi, edhe në muzikë, edhe në veshje, edhe në stilin e bontonit, bëri që në botën e shumë gjeneratave të reja të humbet çdo rëndësi e vlerës së vërtetë, shpirtërore, morale dhe estetike. Sot, lirisht mund të flitet, jo vetëm për mjerimin shpirtëror, veç edhe për mjerimin e lakuriqësisë trupore. Njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se jetën e tyre të përditshme e mbikëqyrin grupe të mëdha me influencë, të cilët përmes masmediave vërshojnë me simbole  të seleksionuara e të organizuara mirë, funksioni i të cilëve nuk është që ta informojnë botën, veç t’i shfrytëzojnë nevojat e botës. Qëllimi themelor i këtyre rrezatimeve shpirtërore qëndron në “adaptimin” e shpirtrave njerëzor, kurse pasoja themelore, në përkuljen e vullnetit të tyre për vetpërcaktim. Të rinjve duhet t’u tërhiqet vërejtja për një lloj të ri të dhunës, për dhunën shpirtërore, pasojat e së cilës mund të jenë më  të tmerrshme se pasojat e dhunës fizike. Po të ishte e mundur të shiheshin pasojat e dhunës shpirtërore sikurse pasojat e dhunës fizike, atëherë shumë shpejtë do të konstatonim se jashtëzakonisht më shumë kemi sakat shpirtëror se trupor.

Ne jemi të rrethuar me institucione, të cilat bëjnë gara që t’i kënaqin instinktet tona – në atë mënyrë që radikalisht t’i eksploatojnë ato. Qytetërimi bashkëkohor femrën e bëri  objekt që shfrytëzohet ose të cilit i bëhet rob, dhe kështu ia mori personalitetin e saj, e cila e vetmja mund të jetë bartëse e vlerave dhe respektit. Duke e mos përfillur detyrën e nënës, ai e privoi gruan nga funksioni i saj themelor i pazëvendësueshëm.

Si rezultat direkt i kësaj lakuriqësie që ka përfshirë shoqërinë tonë është edhe shfaqja e imoralitetit në të gjitha format e tij edhe tek pjesa më vitale e kombit tek rinia shqiptare.

 

Ku po shkon rinia jonë?

Kush është fajtor për jo-moralin dhe lakuriqësinë e rinisë sonë? Kush është fajtor për atë që  sot po ndodh në mesin e nxënësve të shkollave tetëvjeçare dhe të mesme, në mesin e rinisë sonë?! Ç’është ajo që rrënon dhe shkatërron bukurinë si atë fizike ashtu edhe atë morale të rinisë sonë? Për këtë gjendje do të mund të shtroheshin një varg i tërë pyetjesh, por t’i kërkojmë përgjigjet...

Arsyeja kryesore, pamëdyshje , është papërgjegjësia e prindërve. Është për të  ardhur  keq që shumica e tyre kanë braktisur edukimin e fëmijëve të tyre dhe derisa janë të vegjël nuk merren fare  me ta, duke i lënë ata krejtësisht të lirë, e kur rriten dhe fillojnë të bëjnë vepra të këqija, ankohen e hidhërohen që i kanë fëmijët e tillë dhe kërkojnë fajin tek tjerët.

Le të mos  i vendosim linjat mbrojtëse kundër të këqijave që i vijnë rinisë në vetë linjën e frontit, por t’i tërheqim shumë më përpara. T’i edukojmë fëmijët në fe derisa janë në kopsht, apo në shkollën  fillore, që të mësojnë për ekzistimin dh respektimin e autoritetit suprem- All-llahut të Lartësuar. Nga respektimi ndaj Zotit do të lind edhe respektimi ndaj prindit, më të vjetrit, edukatorit, mësuesit. Të mos e lëmë këtë për në shkollën e mesme dhe fakultet, sepse atëherë mund të jetë vonë, sepse ajo është vija e parë e konfrontimit ku lufta zhvillohet ballë për ballë. E kur armiku të arrijë deri aty, atëherë lufta është edhe vështirë, edhe e pasigurt, dhe duhet  bërë sakrifica të mëdha.

Fëmijët tanë  janë pasuri e paçmueshme, por edhe prova dhe sprova jonë dhe vetëm prej nesh varet a do të jemi në krye të detyrës dhe përgjegjësisë. Nëse jemi plotësisht për këtë të vetëdijshëm, e për fat të keq shumica e myslimaneve nuk janë, duhet t’i kushtojmë shumë më tepër kujdes moralit të fëmijëve tanë, të cilat në çdo hap i ekspozohen çdo lloj pornografie përmes televizionit, shtypit, internetit, e madje edhe në vendet publike. Rezultati i kryeneçësisë (kokëfortësisë) dhe vazhdimësisë së njeriut në të keqën dhe tejkalimi i të lejuarës, është paraqitja e sëmundjeve seksuale prej të cilave disa janë vdekjeprurëse, e të tjerat lënë pasoja të tmerrshme për shëndetin, madje shkaktojnë sterilitetin dhe një mori defektesh. Vetëm disa prej tyre janë: Sida, sifilizi, gonorreja, hepatiti. Vetëm nga Sida në botë vdesin rreth 40 milion persona të infektuar të cilët presin ilaçin i cili akoma nuk është gjetur. Nga viti në vit ky numër rritet në mënyrë marramendëse. I vetmi shpëtim për njerëzimin është në aplikimin e dispozitave islame dhe mbrojtjen nga marrëdhëniet jashtëmartesore dhe prej çdo gjëje që All-llahu e ka ndaluar, sepse ato janë të dëmshme dhe nuk janë në interesin e njeriut, veç se kundër njeriut dhe natyrës së tij

Këtu dëshiroj në mënyrë të veçantë të tërheq vëmendjen në rrezikshmërinë e dërgimit të fëmijëve tanë, si atyre të shkollës së mesme, ashtu edhe atyre të shkollës tetëvjeçare, në verimet e përziera njëditore  dhe një javore, ekskursionet e maturës, udhëtimet dhe kampingjet e ndryshme. Udhëtimet e tilla pa pranin e prindërve janë raste të shpeshta të çnderimit të fëmijëve tanë. All-lahu (xh.sh.) thotë:

            “O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar.” (Et-Tahrim, 6)

            Meqë i kërkojmë përgjigjet dhe fajtorët për  këtë, atëherë mund të themi edhe këtë që fajtor janë ata të cilët fëmijët e tyre në orët e vona të natës i lëshojnë: në argëtim, në kafene përplot kundërmim të alkoolit, duhanit dhe ulërimave të gjithfarë këngëtarësh. Me një fjalë – i çojnë në shkatërrim! Ç’mund të kërkojë një myslimane në orët e vona të natës në rrugë dhe korzo, në orët kur vetëm zagarët nuhasin qoshet? Ku është krenaria e saj? Ku është krenaria e prindërve dhe e familjes së saj? Ku është dinjiteti i saj?! Ku është morali i saj? A nuk i vjen turp nga vetvetja, e nuk e bren ndërgjegjja, a nuk e sheh çfarë është duke bërë?

            Gjithsesi që disa kufizime dhe ndalesa duhen imponuar nga ana  e vet prindërve, të cilët para të gjithëve janë të thirrur që të bëjnë diçka për të ruajtur dhe mbrojtur nderin dhe dëlirësinë e fëmijëve të tyre. Ky është hapi i parë dhe më i rëndësishëm të cilin duhet ndërmarrë. Nëse lejojmë që fëmija ynë të vijë vonë në shtëpi, e neve nuk na intereson ku dhe me kë ka qenë, ose i lejojmë vajzës sonë të lakuriqësohet dhe në veshje të kalojë çdo masë të mirësjelljes, atëherë kjo është alarmante dhe e tmerrshme. Prindërit janë përgjegjësit kryesor. Ata duhet të vendosin disa norma dhe rregulla për fëmijët e tyre. Normat dhe kufizimet janë për njerëzit, nuk janë për kafshët, prandaj prindërit duhet t’i kenë parasysh të gjitha këto. Përndryshe fëmijët e tyre do t’u dalin jashtë kontrollit dhe pastaj do ta kenë shumë vështirë t’i përfshijnë ata përsëri në sistem, e ne e dimë mirë se kush mbetet jashtë sistemit, ai mbetet jashtë lojë, mbetet i privuar nga të gjitha favoret dhe përparësitë që i ofron sistemi.

            Prindër të nderuar! Ju jeni linja e parë mbi të cilën formohet morali i fëmijëve tuaj, prandaj, mos lejoni që fëmija juaj të lihet në rrugë dhe që aty të rritet e të edukohet në mënyrë që të mos dëshmojë kundër jush në ditën e Gjykimit.

            Prandaj, apeloj tek të gjithë prindërit që të mendojnë mirë se a e  kanë ruajtur drejtë amanetin e dhuruar dhe e kanë bërë çdo gjë që ai investim, i cili është fryt i dashurisë së tyre, t’u sjellë lumturi dhe përfitime në këtë dhe në botën tjetër, apo mos dhashë  Zoti, e kanë tradhtuar atë amanet për shkak të cilit do t’i ndjejnë dhe përjetojnë pasojat qysh në jetën e kësaj bote përmes mosbindjes dhe padëgjueshmërisë së fëmijës, moskujdesit të tij ndaj prindërve, ashpërsisë, mosrespektimit, kryeneçësisë ndaj prindërve të vet si dhe përmes mënyrave tjera të manifestimit të  ndëshkimit të All-llahut, i cili të tillët i pret edhe në Ahiret. Atëherë me siguri nuk do t’u bëjnë dobi përpjekjet e arsyetimit të indiferencës dhe avashllëkut të tyre, sepse

            “Sot Ne ua mbyllim gojët atyre, Neve na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan”.  (Ja Sin- 36:65).

 

Kulmi i krizës morale

Lirisht mund të themi që në botën bashkëkohore ekziston kriza morale për ç’arsye edhe edukimi moral po bëhet gjithnjë e më aktual. Mendoj se po i afrohemi kulmit të krizës morale, e cila do të ishte, sikur shpesh në histori, simptomë, por edhe përbërës i gjendjes në të cilën sot bota gjendet.

Po vjen koha të cilën qysh herët e ka  parashikuar Pejgamberi ynë (s) në hadithin e tij duke i paralajmëruar sahabët me fjalët:

Si do të veproni kur gratë t’i përkushtohen zinasë (prostitucionit), e rinia të zhytet në sharje dhe kumar?”, i pyeti Pejgamberi (s) sahabët e tij. “Vallë a mund të vijë ajo kohë o i Dërguari i All-llahut?”, e pyeten ata. Muhammedi (s) tha: “Mundet edhe më keq.” “Vallë a mund të jetë edhe më keq?”, e pyeten përsëri. “Mundet. Atëherë kur nuk do ta urdhëroni të mirën, e nuk do ta ndaloni të keqën” – tha Pejgamberi i All-llahut (s)  “Vallë a mund të vijë ajo kohë?” – e pyeten përsëri sahabët. “Mundet edhe më keq. Atëherë kur të mirën do ta konsideroni të keqe, e të keqën të mirë.”  “A mund të vijë ajo kohë, o Pejgamberi i All-llahut?” – për së treti herë e pyetën sahabët. “Mundet. Kur do të urdhëroni të keqën, e të ndaloni të mirën. Atëherë edhe njerëzit tuaj më të ditur nuk do të mund të gjinden (nuk do të dinë çfarë të bëjnë)''- u përgjigj Pejgamberi (s).”

Sa të mëdha dhe sa madhështore janë këto fjalë të pejgamberit të All-llahut (s)! Ato shkaktojnë admirim dhe forcojnë bindjen tonë dhe besimin tonë në vërtetësinë e pejgambërllëkut të tij. Mirëpo, ato gjithashtu shkaktojnë edhe shqetësim dhe frikë, sepse, si duket ato po realizohen pikërisht në kohën tonë. Në kohën e cila, në njërën anë është karakterizuar me përparimin e paimagjinueshëm shkencor teknologjik, e nga ana tjetër me devijimin dhe shkatërrimin edhe më të paimagjinueshëm moral që kërcënon të rrënojë çdo potencial dhe vlerë shpirtërore te njeriu si krijesa më e përkryer e All-llahut. Vërtet, ky hadith  sikur flet për kohën tonë.

Si duket dita e Gjykimit është gjithnjë e më afër, sepse gati të gjithë parashenjat e vogla janë realizuar, po ashtu edhe ky hadith.

Transmeton Enes Ibn Maliku, që pejgamberi (s) ka thënë: “Nga parashenjat e ditës së Kiametit janë: do të zhduket dija, do të vendoset padituria, do të pihet alkooli dhe do të përhapet zinallëku!  (Buhariu)

Të jetuarit dhe të mbijetuarit e gjinisë dhe civilizimit njerëzor, kontinuiteti i njeriut si mëkëmbës i All-llahut, në shumëçka, është i varur nga pastërtia e moralit. Duke shikuar në Kur’an, popujt, civilizimet përpara nesh janë shkatërruar, para se gjithash, për shkak të imoralitetit dhe gjynaheve që i kanë bërë. Shembuj të qartë për këtë janë populli i Lutit dhe të tjerët.

 

Ripërtëritja morale e shoqërisë

Për ripërtëritjen morale të shoqërisë sonë, ka nevojë për më tepër përgjegjësi dhe për më tepër guxim. Sepse, duhet kuptuar që përmirësimi i pasluftës të atdheut dhe shoqërisë sonë, po edhe hyrja në integrimet evropiane, nuk shkon rrugës së drogës dhe alkoolit as rrugës së pornografisë e prostitucionit. Përkundrazi, me këto shoqëria nuk mund të bëjë as edhe një hap përpara, e kuptohet as në Evropë, sepse pornografia dhe prostitucioni janë mbeturinat kulturore evropiane,  epidemia e të cilave pamëshirshëm ka përfshirë edhe qytetet e vendit tonë.

Natyrisht, Zoti (xh. sh.) ka vendosur  ligjet morale siç ka vendosur edhe ligjet natyrore, të cilat janë vetëmbrojtëse, d. th. nëse i sulmon jo-morali, ata mbrohen në mënyra të ndryshme, duke përfshirë edhe sëmundjet e pashërueshme sikurse është AIDS/SIDA. Këtu nuk ndihmojnë ilaçet nga jashtë, por vetëm ato nga brenda, të cilat gjenden atje ku janë ligjet morale që nga ezeli, që nga koha kur Ademi dhe Havaja e kuptuan se më mirë është t’i kthehen Zotit se të përcjellin gjynahun dhe prandaj Ademi “i përqafoi fjalët e pendesës që ia ofroi All-llahu (xh. sh.), dhe kështu All-llahu ia fali gjynahun.”

            Gjithsesi, ilaçi më i mirë kundër jo-moralit është besimi në Zotin, i cili e ruan njeriun nga gjynahu dhe i cili e fisnikëron njeriun për një jetë që ka kuptim, sepse ajo është e mbushur me vlera, të cilat sjellin lumturi në këtë dhe shpëtim në botën tjetër.

            Patjetër, të gjithë dëshirojmë sukses dhe lumturi. Dikush suksesin e sheh në pasuri, e dikush në miqësi. Mirëpo, të jesh i pasur apo i njohur nuk do të thotë njëkohësisht të jesh edhe i lumtur. Për lumturinë duhet edhe diçka – duhet zbuluar pasurinë e shpirtit dhe ringjallur fuqinë e mendjes, sepse aty qëndron lumturia e njeriut – brenda tij, e jo jashtë tij.

            Është e njohur ajo shprehja, e cila thotë: “Ai që e njeh veten, e ka njohur edhe Zotin   e vet”, po ai që  e njeh Zotin, e ka njohur veten. Në kërkim të suksesit dhe lumturisë njeriu, pra, duhet të zgjedh rrugën më të drejtë, e ajo është “që njerëzit t’i mate sipas vetes, d. th.  të gjykojë për ta ashtu si do të gjykonte për vetveten”.

Jeta njerëzore në këtë botë nuk është e kotë dhe e pakuptimtë. Ajo është dhënë në kontekstin e jetës më të lartë, jetës që i ka hije njeriut. Ajo është jeta me simbolin e ngadhënjimit mbi çdo gjëje destruktive, jetë e cila dallon nga ajo animale. Ligjet morale të cilat i ka shpallur Kur’ani, i japin kuptim jetës njerëzore dhe e bëjnë të denjë për respekt. Ana sociale e njeriut është një faktor i qenësishëm për idealin  e jetës së vërtetë, ndërsa korrektësia e individit në mënyrë determinuese është e lidhur me korrektësinë e bashkësisë. Prandaj , All-llahu (xh. sh.) përmes Kur’anit vendos rregullat e sjelljes të cilat janë zgjidhje optimale për një jetë me kuptim në Tokë.

Të bësh mirë dhe t’i kundërvihesh të keqes, është njëri nga parimet më të larta të mësimit islam. Ai ka të bëjë me çdo sferë të jetës njerëzore: me familjen, fqinjësinë dhe më bashkësinë më të gjerë shoqërore. Me tërë këtë kodeks verifikohet qëllimi themelor i Kur’anit – që e mira mund të triumfojë mbi të keqen, vetëm nëse njeriu investon për ato parime dhe jeton në harmoni me to. Në këtë mënyrë ai realizon dimensionin e jetës së kësaj bote e cila dallon nga ajo animale dhe me të cilën futet na harmoninë e ligjeve që zotërojnë në kozmos.

 

            I lutemi All-llahut të Lartësuar që neve dhe fëmijët tanë, popullin tonë dhe rininë tonë ta mbrojë nga të këqijat dhe pasojat e të gjitha fatkeqësive, të njohura dhe të panjohura. ! Amin.

 

 

Literatura:

1 .Hfz. Ismet Spahic, Hutbe, Sarajevë, 2000.

2. Mr. Hamid Indzic, Islam – sveobuhvatni sistem zivljenja, Travnik, 2002, str. 218

3. N. Horizonti, 52/2003., fq.18

4. Avni Aliu, Muhidin Ahmeti, Të rinjtë dhe narkomania, Gjilan, 19995.

5. U. shehibrahimovic, Fuqia e besimit përsosmëri shpirtërore, Shkup, 1983.

6. Halil Mehtic, Vazovi, Zenica, 2004.

7. Zehra – Revistë për familjen dhe shoqërinë, nr. 7/2002, Sarajevë. 

8.  www.sehur.net/html

9.  www.sadervan.com

10. www.dzemat-oberhausen.de

11.   www.rijaset.net

12. www.bosnjakinja.net

 
< I mėparshmi   Tjetri >
© 2008-2012 Xhamia - Mesxhid El Resul Wels | Xhamia-Wels.Com