Ballina arrow Pedagogjia islame arrow EDUKIMI DHE ARSIMIMI NĖ ISLAM
EDUKIMI DHE ARSIMIMI NĖ ISLAM PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Administrator   
Freitag, 05 Juni 2009
                  KONCEPTI MBI EDUKATËN                                                                                                                                                                                    Të flasësh për edukimin do të thotë të gjendesh përballë kuptimeve të ndryshme, pasi vetë fjala "edukim" është veçanërisht polisemike (shumëkuptimshe). Kjo do të thotë që të ndodhesh në rrafshin e synimeve, në fushën e veprimit, në atë të kushteve për të realizuar këtë veprim ose në rrafshin e efekteve dhe produkteve të këtij veprimi edukativ.           Në edukim qëllimet janë në pakufi të ndryshme sipas kohës dhe vendit, varësisht nga idealet që dëshirohet të arrihen. Në qytetet e Greqisë dhe të Romës qëllimi i edukimit ishte stërvitja e individit që t'i nënshtrohet verbërisht kolektivit, që të bëhet rob i shoqërisë. Në Athinë donin të formonin shpirtin kultivues që është i informuar, i butë, i matur dhe në harmoni, i aftë për t'u kënaqur me bukurinë e mendimit të pastër; në Romë, dëshironin që fëmijët e tyre të bëhen mbi të gjitha njerëz të aksionit, të përkushtuar ndaj lavdisë ushtarake, indiferentë ndaj literaturës dhe artit. Në Evropën mesjetare edukimi ishte ekskluzivisht i krishterë; me paraqitjen e Renesansës në Evropë favorizohen vlerat e shekullarizmit si përgjigjie ndaj edukimit ekskluziv kishtar; sot shkenca përpiqet ta zë atë vend në edukim që dikur formalisht i takonte artit. Kanti theksoi  që "qëllimi i edukimit është të zhvillojë te çdo individ përkryeshmërinë e plotë që mund të arrijë." James Mill pret prej edukimit "që nga individi të bëjë një instrument lumturie për veten dhe për bashkëpatriotet e tij." John Stuart Mill në edukim përfshinë: "çdo gjë që e bëjmë ne vetë dhe çdo gjë që e bëjnë të tjerët për ne me qëllim që t'na afrojnë te perkryeshmëria e natyrës sonë". Në kuptimin më të gjerë të pranuar, edukimi përfshin, madje edhe ndikimet indirekte në karakterin dhe aftësitë e njeriut të shkaktuara nga gjërat që kanë ndonjë qëllim krejtësisht tjetër: nga e drejta, forma e sundimit, arti industrial, e madje edhe nga dukuritë natyrore të pavarura nga vullneti i njeriut sikurse janë klima, trolli dhe ambienti".             Nga sa u tha më lartë kuptojmë se "edukimi është një proces i gjerë i formimit tërësor të personalitetit të njeriut, zhvillimit të tij gjatë gjithë jetës. Një formimim dhe zhvillim i tillë përcaktohet nga një tërësi e ndërlikuar faktoresh shoqëror, objektivë dhe subjektivë, të trashëguar dhe të organizuar, që nga mjedisi shoqëror  në nivelet e tij të mëdha e të vogla, edukata e organizuar si dhe vetë praktika vetjake dhe kolektive e jetës së njeriut.          Edukimi është një veprimtari e organizuar, e vetëdijshme, për të ndikuar mbi njerëzit, sidomos mbi brezat e rinj, për t'i formuar ata sipas një synimi të caktuar.         Duke u marrë me këtë problem ndeshet nocioni i edukimit, edukata. Si regull në teori dhe në praktikë, ato përdoren si nocione të barasvlefshme. Megjithatë nodh që të përdoren edhe me ndonjë ngjyrim të veçantë.          Në kuptimin e ngushtë, fjala "edukatë" përdoret edhe në kuptimin "mirësjellje, njeri me edukatë, njeri i edukuar",  ose në të kundërtën, njeri i paedukatë", etj. Pra, nocionet "edukim" dhe "edukatë"  përdorën edhe në vështrime të ndryshme, si në atë antropologjik, kur edukimi barazohet me formimin e personalitetit, i cili si faktor krijimi ka trashëgiminë, mjedisin, praktikën, në vështrimin sociologjik, kur edukimi shihet si funksion i institucioneve të shumta të shoqërisë, si vështrim pedagogjik, në veprimtarinë e shkollës, të mësuesve, të teksteve, të vetë nxënësve.          Profesor Gatston Mialaret sjell dy përkufizime  tepër të ndryshme që lidhen me veprimin, që përbën tërë edukimin, atë të Durkheimit dhe atë të Ligës Ndërkombëtare për edukimin e Ri (LIEN).        Durkheim: "Edukimi është veprimi që kryhet nga breznitë e rritura ndaj atyre që nuk janë pjekur ende për jetën shoqërore. Ai ka për objekt të shkaktojë tek fëmija një numër gjendjesh fizike, intelektuale e morale në përputhje me kërkesat e shoqërisë në përgjithësi dhe të mjedisit shoqëror në të cilin bën pjesë."        LIEN: "Edukimi konsiston në favorizimin e zhvillimit sa më të plotë të sjelljeve tek çdo njeri, njëherësh si qënie individuale dhe si pjestarë i një shoqërie ku mbretëron solidariteti. Edukimi është i pandashëm nga zhvillimi shoqëror, ai përbën një nga forcat përcaktuese të këtij zhvillimi.        Qëllimi i edukimit dhe metodat e tij duhet të rishikohen vazhdimisht në përputhje me masën që shkenca dhe përvoja rrisin njohjen tanë për fëmijën, për njeriun dhe për shoqërinë."         Në përgjithësi, qëllimi kryesor i edukimit qëndron në transmetimin e përvojave të më hershme fetare dhe kulturore, shkencore dhe civilizuese të njerëzimit në brezat e rinj. Në këtë mënyrë krijohet një kontinuitet mes gjeneratash duke përcjellur përvojat e më hershme të dijës, shkathtësive e shprehive, si dhe të përvojave fetare, morale, filozofike, ideologjike dhe pikëpamjeve të tjera në brezat e rinj. Kjo përcjellje e përvojave është e domosdoshme për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë njerëzore. Përndryshe do të duhej çdo individë apo gjeneratë të fillonte nga zeroja.          Koncepti fetar mbi edukatën         Edukimi është pjesë pëbërëse e jetës. Për aq sa një shoqëri i kushton rëndësi edukimit, po aq e respekton dinjitetin e personalitetit njerëzor. Nga edukimi varet e ardhmja e individit, e ardhmja e çdo bashkësie shoqërore apo fetare, por edhe e tërë njerëzimit. Prandaj, është e qartë që edukimit duhet kushtuar shumë më tepër rëndësi në çdo bashkësi familjare dhe në përgjithësi në çdo bashkësi njerëzore. Çdo gjë e thënë mbi edukimin në përgjithësi, me siguri vlen edhe për edukimin fetar, sepse ai i jep qetësi qenies njerëzore, ngjall tek ajo vlera dhe realitete të reja. Jeta praktike e edukatorit sipas parimeve fetare është më bindëse dhe më e pranuar për brezat e rinj se sa ligjerimet teorike.           Nga mënyra e interpretimit të njeriut dhe nga konceptimi i rolit të tij në botë, përkatësisht nga përcaktimi i tij kozmik, përkufizohen edhe modelet e edukimit. Nga ndryshimet e të kuptuarit të këtyre aspekteve, janë përkufizuar dy modele themelore të praktikës edukative: 1.      shoqëror, ose më saktë, modeli i centruar shoqëror2.      personal, përkatësisht modeli i centruar në personalitet         S'ka dyshim se modeli i parë, historikisht është përfaqësuar në një shkallë shumë më të gjerë. Qëllimet e tij janë që të krijojë (arsimojë, formojë, edukojë) para se gjithash anëtarin e një bashkësie të caktuar, d.m.th. të prodhojë qytetarë në masë, si një lloj instrumenti për realizimin e planeve vetanake, shoqërore, shtetërore. Horizonti i trajtimit të këtillë është reduktuar në suazat e programit politik dhe shablloneve ideologjike të mjedisit konkret social. Raporti i njeriut ndaj fatit vetanak, obligimi i tij ndaj Krijuesit, janë margjinalizuar, shpesh edhe krejtësisht janë injoruar.          Qëllimet e koncepteve edukative të përkufizuara në këtë mënyrë, kuptohet nuk mund të bashkëjetojnë njëkohësisht në të njëjtën shoqëri, përkundrazi, orientimi i tyre divergjent i konfronton si paradigma parimisht konfliktuale.           Të krijosh, d.m.th. të arsimosh, të edukosh qytetarin e mirë, si detyrë themelore e procesit edukativ socilaisht të centralizuar, do të thotë ta formosh atë në pajtim me planet e drejtpërdrejta të shoqërisë dhe me sistemin e themeluar mbi premisat ideologjike dhe vlerat socilae.          T'i udhëzosh njerëzit për obligimin e tyre që të arrijnë lumturinë dhe  aspektin shpirtëror vetanak, të arrijnë ekuilibrin, paqen; t'i mësosh që të jetojnë në këtë botë me një jetë të plotë, të ndershme dhe të denjë, ne menyrë që shiprtërisht të përgatiten për boten e përtejme, ja kjo është detyra e procesit edukativ të centruar në personalitet. Udhëzimi për formimin, edukimin e njeriut të mirë , ky është, pra qëllimi i modelit të dytë të edukates.          Qytetari është funksion i vlerësimit shoqëror; njeriu është projekt i struktures pereniale të botës. Qytetari është instrument - njeriu është bartes i kuptimit. Qytetari - është më pak se njeri; njeriu - është më tepër se qytetar. Të jesh qytetar, nuk është kusht i mjaftueshëm për të qenë njeri - të jesh njeri është kusht edhe i mjaftueshëm edhe i domosdoshëm për të justifikuar qëllimin më të lartë të çdo gjëjë të krijuar: të lavdërohet Krijuesi!          Kuptimi i edukimit të njeriut varet nga kuptimi i jetës së njeriut, e kuptimi i jetës së njeriut varet nga themelet mbi të cilat mbështetet dhe nga qëllimet finale drejt të cilave ai synon.        Edukimi dhe mësimi fetar bën pjesë në modelin e dytë të edukimit që për qëllim ka  të ndihmojë çdo njeri, në mënyrë të veçantë çdo të ri  "që të mund të jetojë me kuptim, e për këtë atij i duhet një orientues dhe një komentues i jetës. Kjo pikërisht e bën atë njeri që nga jeta e vet duhet të bëjë diçka. Dhe ajo që ai duhet  ta bëjë është të planifikojë, të formojë dhe ta organizojë jetën e vet. Jeta bëhet e kuptimshme, nëse me kuptim planifikohet, zhvillohet dhe komentohet. Bëhet e kuptimshme nëse ka botëkuptim të kuptimshëm jetësor. Me botëkuptimin jetësor mendohet në të gjitha ato dije të urta që janë të rëndësishme për jetën, të cilat na ndihmojnë të jetojmë me kuptim dhe tërë jetën ta frymëzojmë me atë.        Duke  shqyrtuar nga pikëpamja islame, detyra e dukimit fetar është që me metoda të përshtatshme të mësimit si dhe me shembullin personal të mësuesit, të bëhen përpjkeje për formimin e personalitetit etik dhe fetar shembëllor. Qëllimi tokësor i edukimit është formimi i njeriut të harmonizuar me vetveten, me njerëzit  tjerë dhe me Zotin. Qëllimi i tij i asaj bote është të fituarit e kënaqësisë së Zotit, përkatësisht hyrja në atë gjendje që në fjalorin fetar quhet "shpëtimi i shpirtit". Nga kjo kuptojmë se edukimin islam duhet t'ua besojmë edukatorëve muslimanë, të cilët e jetojnë dhe e përjetojnë islamin.                    Koncepti i edukatës në islam              Duke u nisur nga aspekti gjuhësor i fjalës et-terbijeh do të shohim që rrënja e kësaj fjale në gjuhën arabe reba, jerbu do të thotë, rris, zhvilloj, rebije - jerba - kultivoj, zhvilloj dhe rabb - jerubbu do të thotë rris në kuptimin përmirësoj diçka, kujdesem për diçka, drejtoj dhe mbikqyr diçka.        Disa dijetarë në bazë të këtyre kuptimeve gjuhësore nxorrën përkufizimin e pedagogjisë. Kështu Bejdaviu (vdiç më 586 h.) thotë: "Err-Rrabb në themel ka kuptimin e edukimit (et-terbijeh), e kjo do të thotë ta shpjerë dikë, pak nga pak te përsosmëria e tij. Pastaj kjo fjalë mori një kuptim më intenziv (mubalaga) si cilësi e All-llahut (xh.sh.).        Ragib Asfahani (vdiç më 502 h.) e përkufizon edukimin kështu: "Err-Rrabb në esencë ka kuptimin e edukimit, e ai është të shpënët e një gjëjë nga një gjendje në tjetrën deri sa të arrijë shkallën e plotshmërisë".         Nga këto dy përkufizime shohim se pedagogjia është mënyra dhe rruga që e shpie njeriun drejt përsosmërisë së tij.  Mirëpo, ajo nuk është arritje e përsosmërisë, sepse ajo i takon vetëm All-llahut të lartësuar, e suksesi i edukimit matet me atë sa i është afruar asaj përsosmërie.*            Ndërsa një prej përkufizimeve të mundshme të pedagogjisë islame do të ishte si vijon:        "Pedagogjia islame është formimi dhe krijimi i personalitetit të plotë të njeriut musliman, përkatësisht formimi i të gjitha aspekteve të personalitetit të tij: të shëndetit, mendjes, bindjes, shpirtit, etikës, vullnetit dhe kreativitetit nëpër të gjitha periudhat e zhvillimit të tij në dritën e parimeve dhe vlerave që i solli islami dhe në dritën e metodave e mjeteve pedagogjike që i përcaktoi ai."         Mirëpo, me këtë nuk ezaurohet trajtimi i plotë i konceptit të edukatës në Islam, sepse në doktrinën islame koncepti është i pandashëm prej teksteve ligjëvënëse, vlerave etike dhe ideve e mendimeve pozitive botërore. Prandaj, çështja e konceptit islam mbi edukatën është e lidhur ngushtë me botëkuptimin islam mbi njeriun, universin dhe jetën.         Duke marrë parasysh se Shpallja islame është vëndosur në kontinutitet shpirtëror të shpalljeve të mëparshme dhe meqë sjell porosinë e tyre monoteiste univerzale, por në kushte dhe forma të reja, ajo përfshinë tërësinë e botës e të njeriut. Prandaj, në të do të hasim patjetër në nocione që janë thelbësore për atë tërësi sikurse: Zoti, gjithësia, jeta, shpirti, njeriu etj. Së këtejmi, Kur'ani, si Fjala e fundit e All-llahut (xh.sh.) për njerëzimin, do të frymëzojë një vizion thelbësisht të ri e burimor të Zotit, botës, jetës dhe njeriut. Karakteristikë e rëndësishme e këtij vizioni është fakti që të gjitha këto ai i koncepton si një tërësi harmonike dhe e pandashme. Në tërminologjinë kur'anore ky quhet parimi i tewhidit që do të thotë mësimi dhe besimi se  All-llahu është një Zot i vetëm dhe në pajtim me këtë që Zoti, bota, jeta dhe njeriu përbëjnë një tërësi koherente në kuptimin: një Burim i madh manifestimesh i një qenësie dhe një caku.         Ky edukim është i veçantë, sepse, për dallim nga të tjerët karakterizohet  nga gjerësia dhe univerzaliteti si i qëllimeve ashtu edhe i mjeteve. Ai nuk lejon që njeriu të shpërndajë e të humbë enregjinë nga mjetet e shumëllojta prej të cilëve secili ka qëllimin e vet të veçantë. Islami ka vetëm një rrugë, atë kur'anore, ku  bashkohen edhe mjetët edhe qëllimet. Ai përfshin të gjitha aspektet e ekzistencës njerëzore, që dëshiron t'i bashkojë në një dhe të bëjë nga ai një personalitet të kompletuar. Qëlimi dhe synimi i tij themelor është zhvillimi i drejtë i trupit, mendjës dhe shpirtit, krijimi i një harmonie ekuilibruese mes tyre. Një personalietet i formuar dhe i zhvilluar në këtë mënyrë do të gjejë prehje dhe qetësi në kontakt me natyrën, me njerëzit dhe me jetën në përgjithësi.        Që nga shfaqja e parë e Shpalljës së Zotit (xh.sh) në Mekke dhe në kohën kur muslimanët ishin në numër të vogël dhe të persekutuar, shprehet mësimi kosmopolit i Kur'anit:       "Kur'ani është paralajmërim dhe këshillë për gjithë botën". (Furkan: 1)  Me këtë ai i drejtohet tërë botës e jo fisit Kurejsh, Arabëve ose një gjenerate.        Këtu nuk bëhet  dallimi mes njerëzve nga asnjë pikëpamje përveç nga aspekti i respektimit të normave dhe ligjeve të vendosura të Zotit.        "... ju kemi ndarë në fise dhe popuj që të njihni mes vete, vërtet, më i miri te Zoti është ai më i devotshmi" (Huxhurat, 13).        Kjo është  thirrje e qartë për njerëzit që të mos trillojnë dhe të mos krijojnë dallime në mes vete dhe me këtë t'i thellojnë edhe më tepër mosmarrëveshjet, por t'u përkujtojë se diversiteti mes tyre duhet të jetë fushë njohjeje dhe bashkëpunimi.        Kjo thirrje nuk paraqet as që di për kufij  farëfisnorë, nacionalë, regjionalë etj., nuk di për  pengesa të tilla që më shekuj njerëzit i kanë vendosur njëri tjetrit. Kjo është një thirrje që futet në thellësitë e zemrës e të shpirtit, aty ku pikërisht fshihet njeriu. Ai depërton dhe kërkon thelbin (substancën) e njeriut e jo konstitucionin e tij fizik (lëvozhgën), çfarë ngjyre ka, pozitën shoqërore, origjinën etj.         Islami si sistem i jetës dhe i moralit dallon nga të gjitha sistemet tjera me atë që respekton të gjitha nevojat thememlore të njeriut. Ai e kënaq në mënyrë të barabartë çdo aspekt të personalitetit njerëzor, i plotëson nevojat e tij pa i dhënë prioritet njërit nga tjetri.        Islami e shikon qënien njerëzore në mënyrë integrale; njeriu në vete ka tri aftësi (fuqi): trupore, shpirtërore dhe mendore. Të gjitha këto kërkojnë përmbushjen e nevojave të tyre. Pedagogjia islame përpiqet t'i kënaqë në mënyrë të barabartë që të trija këto aftësi në mënyrë që të mos vijë deri te çrregullimi i personalitetit njerëzor  dhe edukimi i keq. Të gjitha këto së bashku përbëjnë natyrën  njerëzore, fitre-n, në bazë të cilës Zoti i krijoi të gjithë njerëzit (30, 30). Kjo do të thotë se trupi ka nevojat e  veta për ushqim, pije, rroba, martesë, riprodhim… dhe ato mund të jenë të plotësuara vetëm në atë mënyrë që të mos i prishin nevojat e shpirtit e të mendjës, por edhe që të mos asfiksohen nga kërkesat e shpirtit a të mendjës, si psh. nga asketizmi i tepruar apo nga ndonjë ideologji që kërkon martirizimin a pengimin e novojave të natyrshme trupore; shpirti ka nevojë për udhëzim, butësi, qetësi… dhe Islami ia hapi dyert e ibadetit (riteve të veçanata fetare) me të cilat i kënaq nevojat e veta; mendja ka nevojë për mësim, dije dhe njohje, persiatje, ashtu që (me anë të medjes) t'i hulumtojë botët dhe porositë e librit të All-llahut (xh. sh.), të hulumtojë "atë Gjithësi që i flet shpirtit dhe shoqërisë" dhe "atë Kur'an që hesht" në botën fenomenale të universit.        Në këtë kuptim mund të përcaktohet qëllimi themelor i pedagogjisë islame: të edukohet muslimani, i cili do të veprojë në pajtim me ajetin kur'anor : "Dhe ju bëmë juve një bashkësi të rrugës së mesme (ummeten vesatën)" (2, 143), që do të thotë të edukohet personaliteti i ri që do t'i shmanget çdo teprimi në të gjitha sferat e jetës dhe do ta mbajë gjithmonë mesin..        Në islam është çdo gjë një tërësi. Ritet fetare, për nga forma  e tyre e jashtme, materiale, shprehin kohezionin. Pesë herë në ditë, muslimanët janë në lutje (namaz) gati në të njëjtën kohë, falën në të njëjtin drejtim, në drejtim të Mekkës. Qëllimi fetar, i lidhur me ritin fizik, shpreh unitetin shpirtëror dhe material të njeriut. Përveç tjerash, besimi përmendet shpesh në Kur'an bashkë me lëmoshën e caktuar që është obligim fetar dhe e drejtë reciproke që e bashkon popullin e besimtarëve. Poashtu edhe agjërimi i Ramazanit, në mënyrë simbolike i lidhë të gjithë besimtarët që privojnë veten nga ushqimet dhe pijet, sipas një rendi identik kohor. Agjërimi është një nga parimet e barazisë muslimane, sepse këkrkon vetëmohim si nga të pasurit ashtu edhe nga të varfërit. Lëmosha përputhet me konceptin e unitetit dhe të harmonisë së bashkësisë. Participimi në bamirësinë e oligueshme nxit bashkëpunimin. Dhe më në fund haxhillëku është manifestimi më i qartë i unitetit të një bashkësie, që ndanë të njëjtin besim. Si besimi ashtu edhe ritet fetare që e lidhin njeriun direkt me Zotin, participojnë në solidaritetin dhe homogjenitetin e bashkësisë dhe pararlelisht gravitojnë nga univerzalizmi i saj…          Në përgjithësi procesi edukativ dhe edukimi fetar në Islam konceptohen si një tërësi, një unitet i domosdosshëm parësor. Në bazë të këtij edukimi Imama Gazaliu vë parimin e mosshkëputjës së teorisë nga praktika. Përvetësimi i diturive dhe namazi bëjnë pjesë në "ibadet". I pari është ibadet që imponohet nga bindja, nga vokacioni, kurse i dyti ibadet i trupit. Njëri vjen nga pjesa e brendshme, kur truri i njeriut, zemra e tij, e cila e shtynë edhe në pastrimin e anës së jashtme. Të dyja këto anë përbëjnë një të vetme dhe i nënshtrohen procesit eukativ, pra edukimit fetar, që është pjesë e pandarë e përmbajtjës së shkollës. Edukimi në esencë, përvetësimi i njohurive vlerësohet si një adhurim ndaj Zotit, sepse duke njohur botën dhe ligjet e natyrës i afrohesh më tepër Atij.        Në të vërtetë nëse e marrim në kuptimin më të gjerë, e tërë jeta e muslimanit, me të gjitha parimet, rregullat e normat, moralin, filozofinë dhe praktikën në përgjithësi janë në funksion të edukimit. Ky qëndrim univerzal i Islamit ndaj jetës që në tërminologjinë islame kuptohet me nocionin "ibadet" ka ndikim të madh te besimtari, sepse ia bekon çdo vepër pozitive, të dobishme të tij, e motivon të qëndrojë i pathyeshëm në të mirën.       "Mos bëni rrëmujë në tokë sepse tashmë është vendosur rendi në të." (El-A’raf: 56)         Këtu na imponohet një gjë që çdo veprim me qëllim të mirë, tani merr një formë më të lartë hyjnore, që motivon edhe më tej përsosmërinë e së mirës. "Që t'ju sprovojmë se cili prej jush punon më mirë."  (Mulk: 2)         Muhammed Esed thotë: Të kuptuarit e nocionit të ibadetit në Islam dallon nga cilado fe tjetër. Ibadeti në Islam nuk reduktohet vetëm në devotshmëritë e pastëra sikurse janë psh. namazi apo agjerimi. Por, ibadeti përfshinë tërë jetën praktike njerëzore. Prandaj, marrë në përgjithësi, qëllimi i jetës sonë është ibadeti ndaj All-llahut (xh. sh.). Jemi të obliguar ta shikojmë jetën tonë, doemos në shfaqjen e saj të përgjithshme. Ky qëllim do të jetë i pamundur të realizohet nëse do ta ndanim jetën tonë në: jetë shpirtërore dhe jetë materiale, përkatësisht trupore.         Që të dyja ato bëjnë një tërësi unike. Mendimi ynë mbi njësinë e Zotit duhet të shprehet pikërisht në përpjekjen që të vendosim unitetin dhe sinkronizimin e manifestimeve të ndryshme të jetës sonë. Të kuptuarit e këtillë të unitetit na tregon mundësinë e njeriut që të arrijë përsosmërinë në kuadër të jetës se vet individuale. Nder të gjitha sistemet religjioze, shohim se i vetmi Islami deklaron që përsosmëria individuale është e mundur edhe në këtë botë. Islami nuk e sposton këtë përsosmëri pas shuarjës së tekeve trupore, sikurse këtë e bën mësimi i krishter, as nuk e kthen atë në rrathet koncentrike të reinkarnacionit  "me ngritjet e shkallrishme", sikurse është në hinduizëm, e as nuk pajtohet me budizmin, sipas të cilit përsosmëria dhe shpëtimi mund të arrihen vetëm me asgjësimin e Un-it individual dhe shkëputjes së lidhjeve emocionale me këtë botë. Jo, Islami është i qartë kur thotë se njeriu mund të arrijë përsosmërinë në jetën e tij individuale, tokësore duke i shfrytëzuar plotësisht të gjitha dhuntitë e veta ntyrore dhe mundësitë e kësaj bote.        Ibadeti ndaj All-llahut (xh. sh), sikurse e shpjeguam më parë, në kuptimin e tij më të gjerë, përfshinë tërë jetën njerëzore. Ibadeti, që është qëllimi i edukimit të mirë, njëkohësisht është edhe  mjet i edukimit të shpirtit njerëzor. Islami me këtë dëshiron të angazhojë njeriun e kompletuar, edhe anën e tij shpirtërorre edhe trupore edhe intelektuale duke e zhvilluar secilën prej tyre si instrumente, tërësia e të cilëve do të krijonte një melodi harmonike të jetës së lumtur të njeriut.       Ekuilibri në mes fuqisë trupore, mendore dhe shpirtërore, ai është ekuilibër në mes ekzistenës fizike dhe shpirtërore të njeriut, mes dëshirave dhe mundësive, realitetit dhe imagjinatës. Pastaj, ky është ekuiliber mes ndjenjave të frikës e shpresës, mes ndjenjve të të kuptueshmes e të fshehtes, mes individuales e kolektives, me një fjalë, ekuilibri në jetën e gjithmbarshme njerëzore.          Më sa u tha më lartë mund të përfundojmë se qëllimi themelor i qenësisë njerëzore në këtë botë është nënshtrimi (ibadeh) ndaj All-llahut të Lartësuar dhe organizimi e përparimi i jetës në tokë duke e jetësuar ligjin e All-llahut (Shariah). Këtë qëllim na e përcaktoi vetë All-llahu (xh. sh.) në ajetin vijues:        "Unë nuk i krijova xhinnët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë." (51, 56)         Nëse ky është qëllimi i jetës së kësaj bote, atëherë edhe edukimi i njeriut duhet ta ketë të njëjtin qëllim, sepse pedagogjia islame është edukim i gjithanshëm i personalitetit njerëzor në dritën e parimeve dhe vlerave të islamit. Prandaj mund të themi se qëllimi pedagogjisë islame është realizimi inënshtrimit ndaj All-llahut të Lartësuar, si në jetën individuale ashtu edhe në atë shoqërore.        Literatura e shfrytëzuar: 
  1. Abdurrahman en-Nihlawi, Usulu et-terbijeti’l-islamijje, Damask, 1994.
  2. Durkheim, Education, cituar sipas Dr. Musrafa Ceric, “Spas je u odgoju i obrazovanju”, Muallim, nr. 1, Sarajevë, 2000.
  3. Gaston Mialaret, Pedagogjia e përgjithshme, Tiranë, 1995.
  4. Hasan Cengic, Temat islame, Shkup, 1993.
  5. Marcel A. Baisard, Humanizam islama, Sarajevë, 2002.
  6. Musa Kraja, Pedagogjia, Tiranë, 1998.
  7. Shefik Osmani, Panteoni iranian dhe iranologët shqiptarë, Tiranë, 1998.
  8. Etika u islamu, Zbornik radova treceg simpozija, Zagreb, 1990.
 Periodiku:   1.  Dituria islame, revistë mujore fetare kulturore shkencore, nr. 121-122/ Prishtinë, 2000.3.      Nur – casopis za kulturu i islamske teme, nr. 3, Beograd, 1993.4.      Muallim, casopis za odgoj i obrazovanje, nr. 5/ 2001;  nr.7/2002, Sarajevë.5.      Glasnik – VISA – BiH, nr. 34/ 1998/ Sarajevë.6.      Religijski pogledi, revistë pë çështje të religjionit dhe të drejtave të njeriut, nr.4/ 2000, Sarajevë.
 
< I mėparshmi   Tjetri >
© 2008-2012 Xhamia - Mesxhid El Resul Wels | Xhamia-Wels.Com